Hapet edicioni i 24-të i DokuFest-it në Prizren: Mbi 100 filma nga 50 vende në tetë kinema të qytetit

02.08.2025

Në zemër të Prizrenit, rrëzë kodrës së Kalasë dhe pranë brigjeve të Lumbardhit, është hapur zyrtarisht edicioni i 24-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër – DokuFest.

Me praninë e qindra artdashësve, DokuFest-i i këtij viti sjell një program të pasur kulturor, artistik dhe edukativ, duke e kthyer sërish Prizrenin në qendër të skenës ndërkombëtare të filmit. Gjatë nëntë ditëve të festivalit, do të shfaqen mbi 100 filma nga rreth 50 vende të botës, të ndarë në shtatë kategori garuese, në tetë kinema të qytetit.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në rrjetet sociale, e ka cilësuar DokuFest-in si një “motor të rëndësishëm të zhvillimit kulturor, ekonomik dhe lokal në vend”, duke theksuar ndikimin e tij në edukimin dhe formimin e brezave të rinj të filmbërësve.

Sipas Kurtit, që nga viti 2022, festivali ka marrë mbështetje institucionale të qëndrueshme, ndërsa katër vitet e fundit kanë shënuar mbështetjen më të lartë shtetërore ndonjëherë për këtë ngjarje kulturore me rëndësi si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar.

“Mirënjohje për të gjithë ata që kontribuan në organizimin e këtij edicioni, dhe ju ftoj të gjithëve ta vizitoni,” ka përfunduar Kurti.

DokuFest-i, tashmë i konsoliduar si një nga festivalet më të rëndësishme të filmit në rajon, vazhdon të jetë një pikëtakim i çmuar për artdashësit dhe profesionistët e filmit nga mbarë bota, duke kontribuar në promovimin e kulturës dhe identitetit artistik të Kosovës në arenën ndërkombëtare.