Deputetja ukrainase: Ukraina do ta njohë Kosovën së shpejti

02.08.2025

Deputetja e Parlamentit të Ukrainës, Ivanna Klympush Tsintsadz, ka deklaruar se njohja e Kosovës nga Ukraina është çështje kohe dhe se vendimi për njohjen pritet të merret në të ardhmen e afërt.

Në një intervistë, deputetja ukrainase u shpreh e bindur se vendimi që do të marrë Ukraina do të jetë në përputhje me pritshmëritë e popullit të Kosovës.

“Unë besoj se në të ardhmen e afërt Ukraina do ta njohë Kosovën. Nuk do të jetë më një çështje e hapur. Besoj se Ukraina do ta marrë vendimin e duhur që pritet nga populli në Kosovë”, theksoi Tsintsadz.

Gjatë intervistës, ajo falënderoi thellësisht qytetarët e Shqipërisë për mbështetjen e dhënë ndaj Ukrainës në këtë periudhë të vështirë, duke i cilësuar si aleatë të rëndësishëm dhe si “në anën e duhur të historisë”.

“Jam shumë mirënjohëse për ndihmën që kanë dhënë qytetarët e Shqipërisë. Ata janë në anën e duhur të historisë. Jam shumë mirënjohëse për gjithë mbështetjen që ata kanë dhënë deri tani, edhe shteti shqiptar nëpër organizata të ndryshme ndërkombëtare”, u shpreh ajo.

Deputetja ukrainase theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Shqipërisë dhe Ukrainës në fusha të ndryshme, duke përfshirë atë politike, ushtarake dhe humanitare. Ajo tha se dy vendet kanë ndërtuar një raport të fortë besimi dhe koordinimi.

Në fund, Tsintsadz shprehu shpresën që Shqipëria do të vazhdojë të jetë një mbështetëse e fuqishme për Ukrainën në rrugën e saj drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

“Shpresojmë që Shqipëria do të vijojë me këtë mbështetje për Ukrainën që të bëhet shtet anëtar i NATO-s dhe së bashku ne do të arrijmë të gjitha objektivat për qenë pjesë e Bashkimit Evropian”, përfundoi ajo.