Meta planifikon të kthejë WhatsApp-in në një platformë gjithëpërfshirëse për komunikim, pagesa, dhe tregti
Ndërsa super aplikacionet kanë njohur sukses të jashtëzakonshëm në Azi, ideja për të sjellë këtë model në tregjet perëndimore, përfshirë SHBA-në dhe Evropën, ende mbetet e vështirë për t’u realizuar.
Aplikacione si WeChat në Kinë, Grab në Singapor, Gojek në Indonezi dhe Paytm në Indi kanë transformuar mënyrën se si përdoruesit komunikojnë, bëjnë pagesa, porosisin ushqim apo rezervojnë shërbime – të gjitha brenda një aplikacioni të vetëm.
Së fundmi, vëmendja është përqendruar te Meta, kompania mëmë e Facebook dhe WhatsApp, e cila duket se po ndërmerr hapa të kujdesshëm për të ndërtuar një ekosistem të ngjashëm brenda WhatsApp-it. Sipas një analize të publikuar nga City AM, Meta po aplikon një qasje modulare në vend të një kloni të plotë të WeChat-it.
“Meta nuk po e kopjon WeChat-in, por po krijon një sistem modular që imiton sjelljen e përdoruesve në kontekst transaksional dhe social,” shkruan Paul Armstrong, themelues i firmës konsulente TBD Group.
Analistët theksojnë se strukturat e tregut dhe pengesat rregullatore janë ndër arsyet kryesore pse një super aplikacion nuk ka arritur sukses në Perëndim. Në SHBA dhe Evropë, dominimi i dyqaneve të aplikacioneve – Apple App Store dhe Google Play – dhe prezenca e fortë e aplikacioneve të ndara për funksione specifike, si Uber, Venmo, apo Instagram, e bëjnë sfidues integrimin gjithëpërfshirës.
“Për të konkurruar me aplikacione të specializuara si Uber, një super aplikacion duhet ose të krijojë shërbimin e vet të transportit, ose të bashkëpunojë me to – çka është e vështirë, pasi këto kompani nuk kanë interes të dorëzojnë përdoruesit e tyre,” shpjegon Malik Ahmed Khan nga Morningstar Research.
Përveç konkurrencës dhe kufizimeve teknike, çështja e privatësisë është një tjetër pikë e ndjeshme për konsumatorët perëndimorë. Integrimi i shërbimeve të ndryshme në një aplikacion të vetëm nën një korporatë të vetme – në këtë rast, Meta – nxit shqetësime për sigurinë e të dhënave.
“Njerëzit me të drejtë pyesin: ‘A dua që Meta të dijë kur po porosis një Uber, ose të dijë ku ndodhem?’”, tha Jennifer Golbeck, profesoreshë në Universitetin e Maryland. Kjo pikë mbështetet edhe nga Chris Sorensen, CEO i PhoneBurner: “Në Perëndim, njerëzit janë më të vetëdijshëm për privatësinë dhe më të kujdesshëm për të dhënë shumë kontroll një kompanie të vetme.”
Megjithatë, teknologjia e inteligjencës artificiale (IA) mund të jetë elementi që e bën të mundur këtë lloj evolucioni. Meta është duke përdorur modelet e saj gjuhësore LLaMA për të integruar shërbime të mençura brenda bisedave në WhatsApp. “Kjo nuk është vetëm shtim funksionesh – është orkestrim algoritmik i nevojave të përdoruesve,” shpjegon David Bader, drejtor i Institutit për Shkencën e të Dhënave në New Jersey.
Duke konsoliduar ndërveprimet brenda WhatsApp, Meta mund të mbledhë të dhëna të plota për sjelljen e përdoruesve, duke forcuar pozicionin e saj në fushat si IA, reklamat e synuara dhe analizat parashikuese.
Megjithëse Meta ka bërë përpjekje, si futja e pagesave në WhatsApp në Indi, suksesi ka qenë i kufizuar. Pengesat rregullatore u kapërcyen, por përdorimi nuk arriti nivelet e pritura për të konkurruar me platformat ekzistuese si Google Pay.
Në tregjet në zhvillim, ku hapësira e kufizuar dhe bandë-gjerësia janë sfida të përditshme, një aplikacion i vetëm multifunksional mund të ketë avantazhe të qarta. Por në tregjet perëndimore, ku përdoruesit janë mësuar me aplikacione të specializuara dhe i japin përparësi privatësisë dhe kontrollit individual, rruga drejt një super aplikacioni është më e gjatë dhe më e vështirë.
WhatsApp mund të jetë kandidati më i fortë i Perëndimit për të evoluar në një super aplikacion, por suksesi i kësaj strategjie do të varet nga aftësia e Meta-s për të balancuar funksionalitetin, privatësinë dhe besimin e përdoruesve. Me inteligjencën artificiale që luan rol gjithnjë e më të madh, Meta po krijon themelet për një të ardhme ku një aplikacion i vetëm mund të përmbushë një sërë nevojash – por sfidat kulturore, teknike dhe rregullatore mbeten të mëdha.