Jeta dhe shëndeti i punëtorëve në duart e fatit
Fillimi i javës shënoi një tragjedi të re në tregun e punës në Kosovë, ku dy punëtorë humbën jetën në Gjakovë dhe një tjetër në Istog.
Këto vdekje sjellin në vëmendje shqetësimet serioze për sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës, ndërsa të dhënat kontradiktore mes institucioneve dhe sindikatave theksojnë urgjencën e situatës.
Sipas Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, me vdekjet e së hënës, numri i viktimave në vendin e punës ka arritur në 18 raste fatale për 7 muajt e parë të vitit 2025. Kryetari i Sindikatës, Jusuf Azemi, e cilëson vitin 2025 si “vit të kobshëm” për sigurinë e punëtorëve, duke theksuar se punëdhënësit nuk po përmbushin detyrimet ligjore për mbrojtjen e punëtorëve. “Siguria dhe shëndeti i punëtorëve ka mbetur në duart e Zotit,” tha Azemi, duke shtuar se vitin e kaluar janë regjistruar 12 vdekje, ndërsa këtë vit, pa u mbushur ende 7 muaj, shifra ka arritur në 18, transmeton RTV21.
Nga ana tjetër, Inspektorati Qendror i Punës ka publikuar të dhëna të ndryshme. Sipas tyre, në gjashtëmujorin e parë të vitit janë kryer 4751 inspektime, janë shqiptuar 788 gjoba, dhe kanë ndodhur 268 aksidente, prej të cilave 7 me fatalitet. Inspektorati thekson se vetëm shifrat e tyre zyrtare janë të sakta, duke hedhur poshtë të dhënat e publikuara nga “persona të paautorizuar dhe jokompetent” si dezinformuese. Megjithatë, ndryshimi i theksuar mes 7 dhe 18 viktimave brenda një periudhe të ngjashme kohore ngre pikëpyetje serioze për monitorimin dhe raportimin e saktë të aksidenteve.
Naim Bajraktari, ekspert i sigurisë dhe shëndetit në punë, thekson se shkaku kryesor i lëndimeve dhe vdekjeve është mungesa e masave adekuate, sidomos në vendpunishte. Ai përmend mungesën e pajisjeve mbrojtëse elementare, mos testimi i mjeteve të punëtorëve, dhe mungesa e edukimit për sigurinë. Rëniet nga lartësia, të shkaktuara nga pakujdesia dhe mos testimi i skelave, janë gjithashtu një problem në rritje.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar se dy persona janë ndaluar për 48 orë pas aksidentit tragjik në Gjakovë. Inspektorati Qendror i Punës ka zbuluar se subjekti ku ndodhi aksidenti fatal kishte qenë më parë dy herë i gjobitur për shkelje të përsëritura të rregullave të sigurisë. Kjo ngre pyetjen nëse gjobat e shqiptuara janë të mjaftueshme për të detyruar punëdhënësit të respektojnë ligjin dhe të garantojnë sigurinë e punëtorëve.