ASK: Në vitin 2024 u shfrytëzua më pak tokë bujqësore se në 2023
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar sot rezultatet e Anketës së Ekonomive Bujqësore (AEB) për vitin 2024, e cila paraqet të dhëna të detajuara mbi gjendjen e bujqësisë në vend, përfshirë shfrytëzimin e tokës, prodhimin bimor, inputet bujqësore dhe blegtorinë.
Sipas ASK-së, sipërfaqja e shfrytëzuar e tokës bujqësore në vitin 2024 ishte 420 228,67 hektarë (përfshirë tokën e përbashkët), që paraqet një rënie prej 456,3 hektarësh krahasuar me vitin 2023, kur kjo sipërfaqe ishte 420 688,21 hektarë. Rënia vërehet kryesisht te toka e përbashkët, për shkak të zvogëlimit të fondit blegtoral.
Pjesa më e madhe e tokës së shfrytëzuar i takon livadheve dhe kullosave, të cilat zënë 216 534,33 hektarë ose 51,53% të totalit, pak më pak se një vit më parë kur ishin 216 979,55 hektarë ose 51,58%.

Rritje te drithërat dhe kulturat industriale
Toka e punueshme – arat përbënin 44,93% të totalit të sipërfaqes së shfrytëzuar, ndërsa kopshtet vetëm 0,22%. Gjatë vitit 2024, gjithsej toka e punueshme ishte 188 795 hektarë, nga të cilat:
- Drithërat: 125 274,35 ha (66,4%)
- Bimët foragjere: 37 117,13 ha (19,7%)
- Perimet (në fushë të hapur dhe serra): 8 914,65 ha (4,7%)
- Patatet: 3 806,07 ha (2,0%)
- Bishtajoret: 2 929,40 ha (1,6%)
- Kulturat industriale: 1 689,82 ha (0,9%)
- Kultura të tjera: 2 633,81 ha (1,4%)
- Tokë djerrinë: 6 429,78 ha (3,4%)
Sipërfaqe të ujitura dhe të trajtuara me pesticide
Gjatë vitit 2024, gjithsej 34 070,28 hektarë u ujitën të paktën një herë gjatë periudhës referuese. Ndërkohë, sipërfaqja e trajtuar me pesticide ishte 122 570,50 hektarë.
Blegtoria: rënie e numrit të gjedheve, rritje e numrit të deleve
ASK raporton se numri i gjedheve ka shënuar një rënie të lehtë, duke arritur në 240 848 në vitin 2024, nga 247 493 në vitin paraprak. Ndërkohë, numri i deleve është rritur, duke arritur në 211 220 krahasuar me 207 123 në vitin 2023.

Të dhëna të harmonizuara me standardet e Eurostat
Ky publikim ofron një pasqyrë të përgjithshme të sektorit bujqësor në Kosovë dhe është hartuar sipas metodologjisë dhe standardeve të Eurostatit. Të dhënat përfshijnë kulturat bimore, inputet bujqësore, therjet, shitjet dhe produktet blegtorale, si dhe shpenzimet e ekonomive bujqësore.

Raporti i plotë mund të gjendet në faqen zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës.