Arrestohet një shtetas i Shqipërisë në Gjakovë, i dyshuar për 17 raste të vjedhjeve të rënda

16.07.2025

Policia e Kosovës ka arrestuar një shtetas të Shqipërisë, i dyshuar për përfshirje në 17 raste të vjedhjeve të rënda, të ndodhura në qytetin e Gjakovës dhe disa fshatra përreth.

Arrestimi është bërë në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, në fshatin Planqor.

Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë, vjedhjet kanë ndodhur kryesisht në shtëpi të pabanuara, pronarët e të cilave jetojnë jashtë vendit. Aktualisht, vlera e dëmeve të shkaktuara nuk është përcaktuar saktësisht.

Hetimet intensive kanë nisur menjëherë pas raportimeve të para, në koordinim me prokurorin kompetent. Policia ka analizuar provat e mbledhura nga vendngjarjet, përfshirë edhe pamje nga kamerat e sigurisë, për të identifikuar dhe lokalizuar të dyshuarin.

I arrestuari, mashkull madhor me inicialet R.M., shtetas i Shqipërisë, dyshohet se ka qenë i përfshirë në të gjitha rastet e raportuara. Gjatë kontrollit të kryer me rastin e arrestimit, tek i dyshuari janë gjetur dhe sekuestruar:

  • Një çantë krahu me mjete të forta që dyshohet se janë përdorur për hapjen e dyerve,
  • Dy telefona celularë,
  • Një thikë,
  • Disa sende të tjera që mund të lidhen me veprat penale.

Me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari është ndaluar në mbajtje për 48 orë, ndërsa hetimet për grumbullimin e provave të mëtejme janë duke vazhduar.

Policia e Kosovës ka theksuar përkushtimin e saj në parandalimin dhe luftimin e veprave penale, si dhe në garantimin e sigurisë publike për të gjithë qytetarët e vendit.