Tragjedi në bregdetin shqiptar: Ndërron jetë 20-vjeçari nga Rahoveci

15.07.2025

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në bregdetin shqiptar, ku ka humbur jetën një i ri nga Rahoveci.

Bëhet fjalë për 20-vjeçarin Anid Samir Hoxha, i cili po qëndronte atje për pushime së bashku me shokët e tij.
Lajmin për ndarjen e tij të parakohshme nga jeta e ka bërë të ditur kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, përmes një postimi në rrjetet sociale.

“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të 20-vjeçarit nga Rahoveci, Anid Samir Hoxha. Anidi po qëndronte për pushime në bregdetin shqiptar, së bashku me shokët e tij. Kjo humbje e papritur na preku thellë të gjithëve, familjen, shokët dhe secilin që e njohu Anidin, si djalë të mirë e të dashur”, ka shkruar Latifi.

Ai ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen Hoxha, miqtë dhe të gjithë ata që ndjejnë dhimbjen e kësaj humbjeje të rëndë.

Rrethanat e vdekjes së të riut nuk janë bërë ende të ditura. Ndërkohë, komuniteti në Rahovec është i tronditur nga kjo tragjedi që i mori jetën një të riu të njohur për karakterin e tij të mirë.