Operacioni “Qielli i thyer”: Zgjatet paraburgimi për 22 të dyshuarit për trafik ndërkombëtar të drogës dhe krim të organizuar
Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur që masa e paraburgimit për 22 të dyshuarit e arrestuar në kuadër të operacionit policor “Qielli i thyer” të zgjatet edhe për dy muaj të tjerë, deri më 3 shtator 2025.
Vendimi u mor nga gjyqtari i procedurës paraprake pas shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), e cila po heton këtë rast për trafik ndërkombëtar të narkotikëve dhe pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal. Lajmin e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” zyrtarja për media e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
Ndërkohë, më 19 qershor 2025, paraburgim i është caktuar edhe një të dyshuari tjetër në lidhje me të njëjtin rast.
Ankesat e mbrojtjes ndaj masës së parë të paraburgimit janë refuzuar si të pabazuara nga Gjykata e Apelit, duke konfirmuar aktvendimin e Themelores, e cila më 4 qershor 2025 kishte vendosur masën e parë të paraburgimit prej 30 ditësh për 22 të arrestuarit në këtë aksion që ndërlidhet me trafikun e drogës në rajonin e Gjilanit, Prizrenit dhe Pejës.
Sipas dosjes hetimore të PSRK-së, të dyshuarit përfshijnë emra si Rexhep Nikqi, Arianit Krasniqi, Abedin Gjakova, Ragip Bislimi, Armend Ismajli, Rifat Vuçetaj, Erduan Ismaili, Shemsi Bahtiri, Andi Vokshi, Blerim Sharapolli, Elez Elezi, Roland Beqiri, Avni Rekaliu, Edin Berisha, Ardijan Mazrekaj, Kurbin Dezdari, Onur Vizdik, Lorik Tigani, Kenan Brovina, Kahraman Aksoy dhe Ylli Musliu.
Sipas Prokurorisë, që nga viti 2019 deri në qershor të vitit 2025, këta persona dyshohet se kanë vepruar si pjesë e një grupi kriminal të organizuar që trafikonte lëndë narkotike si kokainë, heroinë dhe marihuanë nga Amerika e Jugut, Irani dhe Turqia drejt Kosovës, përmes rrugëve tokësore dhe porteve detare nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Narkotikët janë futur në Kosovë të fshehura në kontejnerë, kamionë dhe automjete me bunkerë të posaçëm për fshehje.
Më tej, substanca narkotike dyshohet se është përzier me soda bicarbonat për të shtuar peshën dhe më pas është shpërndarë për shitje në Kosovë, si dhe në vende të tjera si Serbia, Bosnja e Hercegovina, Kroacia, Gjermania, Zvicra dhe shtete të tjera të BE-së. Mjetet e përfituara nga ky aktivitet kriminal, sipas PSRK-së, janë investuar në biznese, prona dhe pasuri të luajtshme e të paluajtshme për të fshehur origjinën e tyre.
Hetimi ka nisur falë të dhënave të siguruara përmes përgjimeve të aplikacionit të koduar Sky ECC, të dekriptuara nga autoritetet franceze, belge dhe holandeze në kuadër të operacionit ndërkombëtar “Limit”. Pjesë të këtyre të dhënave janë dërguar edhe në Kosovë nëpërmjet EUROPOL-it, çka ka mundësuar PSRK-së të zgjerojë hetimet.
Fillimisht, hetimet kanë nisur kundër Kujtim Nezirajt, Ardian Mazrekajt dhe Edin Berishës, e më pas janë shtrirë në gjithë rrjetin e dyshuar të organizatës kriminale. Me këtë rast, të dyshuarit përballen me akuzat për pjesëmarrje në grup kriminal të organizuar dhe trafik ndërkombëtar të narkotikëve, vepra të cilat, sipas Kodit Penal, mund të dënohen me shumë vite burgim.