Interesim i madh për Policinë e Kosovës, mbi 6800 aplikime për 350 pozita

09.07.2025

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në konkursin e fundit për pranimin e 350 zyrtarëve të rinj policorë, kanë aplikuar gjithsej 6818 kandidatë. Konkursi ishte i hapur nga 17 qershori deri më 7 korrik 2025.

Sipas të dhënave zyrtare të siguruara nga Gazeta Express, 1249 nga aplikantët janë të gjinisë femërore, ndërsa 5569 të gjinisë mashkullore. Krahasuar me konkursin e vitit 2023, ku kishin aplikuar 4382 persona, këtë vit ka një rritje prej 2436 aplikimesh – një tregues i qartë i rritjes së interesimit për t’u bërë pjesë e Policisë së Kosovës.

Aktualisht, procesi i rekrutimit ndodhet në fazën e regjistrimit të aplikacioneve. Megjithatë, kujtohet se edhe pse me interesim të lartë, zyrtarët policorë vazhdojnë të punojnë pa sigurim shëndetësor apo jetësor.