Gjykata refuzon pezullimin e vendimit të ZRrE-së, Shoqata e Prodhuesve: Vazhdojmë me paditë individuale
Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesën për pezullimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), të paraqitur nga Shoqata e Prodhuesve të Kosovës në formë grupore.
Vendimi është arsyetuar me faktin se legjislacioni aktual nuk e njeh mbrojtjen ligjore në mënyrë kolektive.
Në njoftimin e Shoqatës theksohet se kjo ka qenë padia e parë grupore e ngritur në emër të të gjithë prodhuesve vendorë. Ndërkohë, Oda Ekonomike e Kosovës nuk ka ushtruar padi në emër të 1300 bizneseve, por përmes zyrës së saj ligjore po ndihmon bizneset në përgatitjen e padive individuale.
Shoqata bën të ditur se Gjykata Komerciale ka pranuar dhe është duke trajtuar këto padi të veçanta, ndërsa theksohet se procesi ligjor do të vazhdojë në këtë formë. Po ashtu, i bëhet thirrje ZRrE-së që të anulojë vendimin për daljen e detyruar në tregun e lirë të energjisë, duke paralajmëruar se një veprim i tillë rrezikon konkurrencën dhe ekonominë e vendit.