Dy të arrestuar për zjarrvënie në Prishtinë, shkaktuan dëme të mëdha materiale
Policia e Rajonit të Prishtinës ka njoftuar për arrestimin e dy personave të dyshuar për përfshirje në një rast zjarrvënieje të ndodhur më 14 shkurt 2025 në rrugën “Epiri”, në Prishtinë.
Nga ky incident ishin shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në një lokal afarist.
Pas hetimeve të zhvilluara nga Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme, të dyshuarit u arrestuan sot në Shipol të Mitrovicës së Jugut. Ata janë identifikuar si F.S., 36 vjeç, dhe M.M., 28 vjeç, të dy shtetas të Republikës së Kosovës.
Sipas Policisë, ekziston dyshim i bazuar se të arrestuarit kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejt në zjarrvënien e lokalit. Me vendim të prokurorit të shtetit, të dy janë dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë, ndërkohë që hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë në vijim.