Vetaksident në Batllavë, katër persona përfundojnë në QKUK

07.07.2025

Një vetaksident trafiku është regjistruar paraditen e së hënës në fshatin Batllavë të komunës së Podujevës, ku si pasojë katër persona kanë pësuar lëndime trupore, raporton Gazeta Sinjali.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, i cili tha se aksidenti është raportuar rreth orës 10:15. Sipas tij, në aksident është përfshirë një veturë dhe të lënduarit janë dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

“Të katër personat që ndodheshin në veturë kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Aktualisht po trajtohen në QKUK për plagët e marra”, tha Borovci për Sinjalin.

Njësia Rajonale e Trafikut ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat që çuan në këtë aksident.