Në Shkup nisi takimi i liderëve të BE dhe Ballkanit Perëndimor për planin e rritjes prej 6 miliardë eurosh
Në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut ka nisur sot takimi dyditor i liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, i cili i dedikohet Planit të Rritjes prej 6 miliardë eurosh të miratuar nga Komisioni Evropian më 8 nëntor 2023.
Ceremonia e pritjes zyrtare të liderëve është mbajtur në orën 9:30, ndërsa në orën 10:00 ka nisur paneli i parë i punimeve, i fokusuar pikërisht në Planin për Rritje për Ballkanin Perëndimor. Ky plan mbështetet në katër shtylla kryesore:
- Forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së,
- Thellimi i bashkëpunimit ekonomik rajonal përmes tregut të përbashkët të Ballkanit Perëndimor,
- Përshpejtimi i reformave fundamentale,
- Rritja e asistencës financiare për të mbështetur këto reforma.
Fjalimet hyrëse në këtë takim do të mbahen nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, dhe komisionerja për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Marta Kos. Po ashtu, sot nga ora 16:00, është paraparë një takim mes Mickoskit dhe Kos, i cili do të pasohet me një takim bilateral të zgjeruar me delegacionet respektive.
Në këtë samit po merr pjesë edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka deklaruar për mediat se ky takim është dashur të mbahej në muajin mars, por ishte shtyrë për shkak të tragjedisë në Koçani.
“Është çdo herë kënaqësi për mua që të vij në Shkup, sidomos tash që kemi pikat e përbashkëta të kontrollit”, u shpreh Kurti para gazetarëve. Ai gjithashtu vlerësoi rolin e Maqedonisë së Veriut në rajon, duke e përshkruar si një shtet që ashtu si të gjitha vendet e Ballkanit aspiron t’i bashkohet Bashkimit Evropian.
Takimi pritet të sjellë diskutime konkrete mbi mënyrën se si vendet e rajonit do të përfitojnë nga Plani i Rritjes, si dhe mbi përkushtimin e tyre ndaj reformave dhe bashkëpunimit rajonal.