Trump flet sërish për Kosovën e Serbinë: Ishin gati për luftë të madhe – unë e ndalova
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka zgjedhur sërish të rikthehet te çështja e marrëdhënieve të tensionuara midis Kosovës dhe Serbisë, duke e përfshirë atë në pasqyrën e konflikteve globale që ai pretendon se ka zgjidhur gjatë mandatit të tij.
Foto: Ilustrim
Për të tretën herë brenda vetëm një jave, Trump e ka përmendur këtë temë si një shembull të suksesit të politikës së tij të jashtme.
Gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, ai deklaroi se Kosova dhe Serbia ndodheshin në prag të një përplasjeje të madhe ushtarake, një lufte që sipas tij u shmang falë ndërhyrjes vendimtare të tij.
“Serbia dhe Kosova ishin gati të përplaseshin. Po shkonin drejt një lufte të madhe,” u shpreh Trump para gazetarëve.
I pyetur mbi mënyrën se si arriti ta parandalonte përshkallëzimin, Trump tregoi me stilin e tij të zakonshëm të drejtpërdrejtë:
“U thashë: Nëse përplaseni, nuk ka më tregti me Shtetet e Bashkuara. Ata thanë: Ndoshta nuk do të përplasemi.”
Presidenti amerikan e ka përmendur në mënyrë të përsëritur këtë ndërmjetësim gjatë fjalimeve të fundit, përfshirë edhe gjatë diskutimeve për konfliktin Izrael-Hamas dhe në samitin e NATO-s në Hagë, duke e përshkruar marrëveshjen Kosovë-Serbi si një nga arritjet e tij më të mëdha diplomatike.
Trump i referohet marrëveshjes së 4 shtatorit 2020, të nënshkruar në Zyrën Ovale në praninë e tij nga presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Avdullah Hoti. Kjo marrëveshje ekonomike, e ndërmjetësuar nga administrata Trump, parashikonte disa pika kyçe, përfshirë:
- Normalizimin ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë,
- Njohjen e ndërsjellë të Izraelit dhe Kosovës,
- Angazhimin e Serbisë për të ndalur përkohësisht fushatën për çnjohjen e shtetësisë së Kosovës,
- Përmbajtjen nga kërkesa ndaj vendeve të treta që të mos e njohin Kosovën si shtet të pavarur.
Trump thekson se ishte pikërisht presioni ekonomik ai që ndikoi në frenimin e përshkallëzimit të konfliktit. Pavarësisht kritikave ndaj stilit të tij diplomatik, ai e sheh ndërmjetësimin Kosovë-Serbi si dëshmi të qartë të efektivitetit të qasjes së tij jo-konvencionale në politikën e jashtme.
Në kontekstin aktual të rritjes së tensioneve në disa zona të botës, Trump po kërkon të paraqesë rolin e tij si paqebërës si një meritë të madhe të presidencës së tij.