Universiteti i Bernës konfirmon: Vendbanimi më i vjetër me palafite në Evropë është në Pogradec
Një zbulim arkeologjik me rëndësi të jashtëzakonshme është konfirmuar nga Universiteti i Bernës dhe Instituti i Arkeologjisë: vendbanimi i lashtë në Lin të Pogradecit është zyrtarisht vendbanimi më i vjetër me palafite në të gjithë Europën.
Sipas të dhënave të konfirmuara, vjetërsia e këtij vendbanimi shtrihet përgjatë periudhës 6,000 – 4,000 para Krishtit, duke e renditur sitin e Linit ndër më të hershmit e zbuluar ndonjëherë në kontinent.
Gjatë gërmimeve të fundit janë zbuluar për herë të parë:
- Hapja e llogoreve tokësore që dëshmojnë jetesën e hershme njerëzore;
- Shtylla të shumta druri të shtëpive, që tregojnë ndërtimet mbi platforma ujore (palafite);
- Shtresa qeramike të dekoruara me stilin “impreso” – një nga format më të hershme të poçarisë, që lidh kulturën e Linit me bregdetin Adriatik;
- Një rrethojë e re, duke e çuar në pesë numrin total të unazave mbrojtëse që përbëjnë strukturën e vendbanimit;
- Grumbuj të mëdhenj pishash, që mendohet të jenë mbetje të një ose më shumë shtëpive të vjetra;
- Për herë të parë, dendrokronologjia (datimi përmes unazave të pemëve) ka përputhur sitin e Linit me atë të Ohrit, duke dëshmuar lidhje gjeografike dhe kulturore të gjera në rajon.
Për më tepër, është konfirmuar se vendbanimi i njohur si Lin 3 mbulon një periudhë prej rreth 2,000 vjetësh dhe përfshin të paktën 10–12 faza të ndryshme zhvillimi ose fshatra të ndarë në kohë, gjatë periudhës 6,000 – 4,000 p.K.
Ky zbulim përforcon edhe më tej rëndësinë arkeologjike dhe historike të rajonit të Linit, duke e shndërruar atë në një nga thesaret më të çmuara të trashëgimisë parahistorike të Europës.