Irani sulmon bazat amerikane në Irak dhe Katar – Shpërthime në Doha, Katari mbyll hapësirën ajrore
Mediat shtetërore iraniane kanë konfirmuar se Irani ka nisur zyrtarisht përgjigjen e tij ndaj sulmeve të fundit mbi objektet bërthamore të vendit, duke goditur me raketa bazat ushtarake amerikane në Irak dhe Katar.
Lajmi u bë i ditur nga agjencia shtetërore Tasnim, e cila e cilësoi sulmin si “të fuqishëm dhe fitimtar”.
Sipas raporteve të para, raketat janë lëshuar nga Trupat e Gardës Revolucionare Iraniane, ndërkohë që shpërthime të forta janë dëgjuar në kryeqytetin e Katarit, Doha. Informacionet vijnë ndërkohë që më herët ishte raportuar për një “kërcënim të besueshëm” ndaj një baze ushtarake amerikane në Katar.
Si masë paraprake, Qatari ka mbyllur përkohësisht hapësirën e tij ajrore, ndërsa qytetarët amerikanë dhe britanikë janë këshilluar të strehohen në vend.
Zhvillimet vijnë pas sulmeve ndaj objekteve bërthamore të Iranit ditën e shtunë. Nga ana tjetër, Izraeli ka deklaruar se po godet Teheranin me “forcë të paprecedentë”, duke përfshirë sulme mbi rrugët hyrëse drejt objektit bërthamor Fordo dhe burgut famëkeq Evin.
Në Uashington, pritet që Presidenti Trump të zhvillojë një takim urgjent me Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Më herët gjatë ditës, Shtëpia e Bardhë kishte deklaruar se Presidenti “thjesht po shtronte pyetje” kur përmendi idenë e një ndërrimi regjimi në Iran.
Zhvillimet mbeten në dinamikë. Vazhdojmë t’ju mbajmë të informuar.