Tragjedi në Ferizaj: Fëmija 3-vjeçar humb jetën pasi u godit nga vetura në oborrin e shtëpisë
Një ngjarje tragjike ka ndodhur të dielën në fshatin Dardani të Ferizajt, ku një fëmijë rreth katërvjeçar ka humbur jetën pasi u godit nga një veturë në oborrin e shtëpisë.
Lajmin e ka konfirmuar zyrtari policor për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, i cili bëri të ditur se rasti është raportuar më 22 qershor 2025, rreth orës 18:45, nga Stacioni Policor në Viti.
Sipas njoftimit, fëmija ishte dërguar me urgjencë në ambulancën e fshatit Pozheran, por mjeku kujdestar konstatoi se ai kishte ndërruar jetë. Dyshohet se fëmija është goditur nga një veturë në oborrin e shtëpisë, ndërsa ngasësi i makinës ka lidhje familjare me viktimën.
Policia ka dalë në vendin e ngjarjes së bashku me njësitë relevante për të kryer ekzaminimet e nevojshme. Ndërkohë, ngasësi i veturës është shoqëruar në stacionin policor në Ferizaj.
Për rastin është njoftuar edhe prokurori i shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e hetimeve për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”. Me vendim të tij, i dyshuari është ndaluar për 48 orë.
Policia po vazhdon hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje tragjike.