Tafaj: Aksioni i “EKO-THERANDA”-s, fushatë elektorale e jo pastrim serioz

11.06.2025

Asambleistja e Lëvizjes Vetëvendosje në Suharekë, Laureta Tafaj, ka kritikuar ashpër kryetarin e Komunës, Bali Muharremaj, dhe aksionin e fundit të pastrimit nga NPL “EKO-THERANDA”.

Sipas Tafajt, ky aksion më shumë i ngjan një fushate elektorale sesa një plani serioz të mirëmbajtjes së hapësirave publike.

Në një postim në Facebook, Tafaj ka ngritur disa pyetje kyçe lidhur me transparencën dhe ligjshmërinë e këtij aksioni:

  • Kush janë këta punëtorë?
  • A janë të punësuar përmes konkursit publik, apo janë të angazhuar në mënyrë të jashtëligjshme?
  • Pse nuk ka transparencë në rekrutimin e tyre?
  • A po përdoret ndërmarrja publike për qëllime politike në mes të një fushate zgjedhore?

Tafaj thekson se ndërmarrja publike nuk është shtab elektoral. Ajo e cilëson përdorimin e mjeteve publike pa konkurs, pa pajisje adekuate dhe pa llogaridhënie si shkelje të etikës institucionale dhe abuzim me pasurinë publike.

Sipas asambleistes së VV-së, “Theranda ka nevojë për shërbime publike të mirëorganizuara, transparente dhe të barabarta për të gjithë qytetarët – jo për shfaqje që fshehin kaosin nën tapet.”

Kjo kritikë vjen si reagim ndaj aksionit të shpallur nga kryetari Muharremaj, i cili kishte njoftuar më herët se ekipet e NPL “EKO-THERANDA” po punonin intensivisht për pastrimin e qytetit dhe kishte apeluar për bashkëpunim qytetar.