Ndërron jetë patrioti Selim Shala, streha e luftëtarëve të UÇK-së

08.06.2025

Ka ndërruar jetë në moshën 79-vjeçare, patrioti Selim Shala, një figurë kyçe që dha një kontribut të madh në luftën çlirimtare të Kosovës.

Shtëpia e tij ishte një strehë e sigurt për shumë luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

I ndjeri ishte babai i ish-ushtarit të UÇK-së, Ahmet Shala, i cili bashkë me bashkëshorten e tij kanë luftuar aktivisht për çlirimin e vendit.

Ish-ushtari i UÇK-së, Skender Sallauka, duke njoftuar për vdekjen e Selim Shalës, e ka cilësuar atë si një “burrë atdhetar”. “Konaku i tij ishte streha jonë e UÇK-së prej viteve ’90-ta, e kishim krahë të djathtë në të gjitha format,” tha Sallauka.

Ai theksoi se shtëpia e “bacës Selim” ishte vend takimi dhe vendstrehimi i ushtarëve të UÇK-së, ku punohej përditë për liri. Sallauka shtoi se nga kjo familje atdhetare, edhe djali i tij Ahmeti me bashkëshorten ishin ushtarë të UÇK-së, duke shprehur ngushëllime të thella familjes Shala.

Varrimi i të ndjerit do të bëhet sot, e diel, në orën 14:00, në fshatin Caparc të Prizrenit.