Makina e të njëjtit qytetar vidhet dy herë brenda pak ditësh në Gjakovë

04.06.2025

Veturat vazhdojnë të jenë një objektiv i shpeshtë i hajnave në Kosovë, duke lënë qytetarët pa siguri për automjetet e tyre në parkingje apo hapësira publike.

Një rast i fundit në Gjakovë thekson këtë shqetësim, ku një qytetar është përballur me vjedhjen e makinës së tij për herë të dytë brenda një periudhe të shkurtër, raporton Gazeta Sinjali.

Burime të Sinjalit brenda Prokurorisë bëjnë me dije se rasti është denoncuar në orët e para të mëngjesit të sotëm, të mërkurës, më 4 qershor, në rrugën “Ismail Qemajli”. Është raportuar vjedhja e një veture të tipit Golf 3.

Ankuesi, L.T., rreth 58-vjeçar, ka deklaruar se automjetin e kishte parkuar dhe mbyllur në atë lokacion. Mirëpo, me t’u kthyer në mëngjes, nuk e kishte gjetur në vendin ku e kishte lënë.

Sipas deklaratës së tij, kjo nuk është hera e parë që i vidhet e njëjta makinë. Vetëm disa ditë më parë, automjeti ishte vjedhur, por më pas ishte gjetur dhe kthyer nga Njësia e Hetimeve.

Vlera e veturës, sipas pronarit, është rreth 1,000 euro, dhe në të nuk kishte gjëra me vlerë.

Rasti është iniciuar si “Vjedhje”, ndërkohë që i dyshuari mbetet i paidentifikuar dhe në arrati. Policia ka nisur hetimet për të zbuluar autorin e kësaj vjedhjeje.