Policia njofton për masa sigurie dhe ndërprerje të trafikut gjatë Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë
Policia e Kosovës ka njoftuar se do të marrë masa të shtuara për të siguruar mirëmbajtjen e rendit, qetësisë publike dhe menaxhimin e trafikut rrugor gjatë zhvillimit të edicionit të tretë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili do të mbahet në Prishtinë më 2 dhe 3 qershor.
Nëpërmjet një komunikate për media, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se, me iniciativë të Presidentes së Republikës së Kosovës, Znj. Vjosa Osmani-Sadriu, do të angazhohet maksimalisht për mbarëvajtjen e këtij forumi të rëndësishëm.
“Më datë 2-3 qershor 2025, me iniciativë të Presidentes së Republikës së Kosovës Znj. Vjosa Osmani-Sadriu në Prishtinë organizohet edicioni i tretë i Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Republikën e Kosovës. Policia e Kosovës do të kujdeset për mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike dhe menaxhimin e trafikut rrugorë në vend, si dhe gjatë lëvizjes/qëndrimit të personaliteteve dhe delegacioneve të ndryshme lidhur me këtë edicion,” thuhet në njoftimin e Policisë.
Për të mundësuar qarkullimin e lirë të delegacioneve dhe zhvillimin normal të aktiviteteve të forumit, Policia e Kosovës ka paralajmëruar ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut në disa segmente rrugore dhe në afërsi të objekteve ku do të zhvillohen aktivitetet. Gjatë këtyre ndërprerjeve të shkurtra kohore, trafiku do të riorientohet në rrugë alternative.
Për këtë arsye, Policia e Kosovës kërkon mirëkuptimin e plotë të qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik gjatë këtyre dy ditëve.