Fushë Kosovë, nëna sulmon fizikisht vajzën e saj me bisht xhokerri
Një tjetër rast shqetësues i dhunës në familje është regjistruar në vendin tonë, kësaj here në Fushë Kosovë, ku një nënë dyshohet se ka sulmuar fizikisht vajzën e saj të mitur duke e goditur me një mjet të fortë në kokë.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm, 31 maj 2025, rreth orës 01:30, në rrugën “Hajrulla Zymi” në Fushë Kosovë. Pas një njoftimi nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Bresje, u raportua se një vajzë e re kishte kërkuar ndihmë mjekësore pas një sulmi të ushtruar nga nëna e saj.
Viktima, e identifikuar si O.E., rreth 19 vjeçare, është dërguar menjëherë në Qendrën e Mjekësisë Familjare, ku ka marrë trajtimin e nevojshëm për lëndime të lehta trupore. Sipas raportit mjekësor, e reja është goditur në kokë me bishtin e xhokerrit nga nëna e saj, L.E., rreth 40 vjeçare.
Pas marrjes së informacioneve dhe verifikimit të fakteve nga ana e Policisë së Kosovës, është ndërhyrë menjëherë dhe e dyshuara L.E. është ndaluar nga autoritetet.
Në konsultim të ngushtë me Prokurorin kujdestar, rasti është iniciuar zyrtarisht si “Dhunë në familje”. E dyshuara aktualisht ndodhet në mbajtje për 48 orë, ndërkohë që hetimet lidhur me këtë incident të dhunshëm janë duke vazhduar nga organet kompetente për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.