OVL e UÇK-së reagon ashpër pas dëmtimit të bunkerit në Jezerc: Akt i turpshëm
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), dega në Ferizaj, ka reaguar me indinjatë pas dëmtimit dhe djegies së bunkerit historik në Pikën 6, në fshatin Jezerc.
Në një deklaratë zyrtare, OVL-UÇK Ferizaj e ka cilësuar këtë veprim si “të ulët dhe të turpshëm”, duke theksuar se ai përbën “një fyerje për kujtesën dhe sakrificën e të gjithë dëshmorëve dhe luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.”
“Ky bunker është simbol i qëndresës dhe rezistencës së popullit tonë dhe çdo përpjekje për ta shkatërruar atë është një akt kundër trashëgimisë sonë kombëtare”, thuhet më tej në reagimin e organizatës së veteranëve.
OVL-UÇK dega në Ferizaj ka njoftuar se do të informojë menjëherë Policinë e Kosovës lidhur me këtë incident dhe do të kërkojë nga autoritetet që autorët e këtij akti vandal të vihen sa më shpejt para drejtësisë.
“Urojmë që sa më shpejt të gjenden ata që kanë dëmtuar këtë vend të shenjtë të historisë sonë kombëtare. OVL UÇK – dega Ferizaj mbetet e vendosur për të ruajtur dhe mbrojtur kujtimin e luftës sonë çlirimtare”, përfundon reagimi i tyre.
Ende nuk dihen detaje rreth autorëve të këtij akti dhe motivit të tyre, por pritet që organet e hetuesisë të nisin hetimet për zbardhjen e plotë të rastit.