Aksion policor në Prishtinë, sekuestrohen armë, municion dhe drogë
Policia e Kosovës ka zhvilluar sot një operacion të gjerë policor në rajonin e Prishtinës, duke zbatuar një urdhëresë të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Operacioni u krye nga Sektori i Hetimeve i Departamentit të Kufirit, në bashkëpunim me njësi të tjera relevante.
Aksioni u ndërmor pas dyshimeve të arsyeshme për kryerjen e veprës penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve ose mjeteve plasëse”, e sanksionuar nga neni 364 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gjatë operacionit, policia ka bastisur gjithsej tetë lokacione të ndryshme në rajonin e Prishtinës. Si rezultat i këtyre bastisjeve, janë sekuestruar:
- Një pushkë automatike AK-47
- 23 fishekë
- 2 magazina (karikatorë)
- Një bajonetë dhe një thikë
- 78 gramë të substancës së dyshuar narkotike
- 7 telefona celularë dhe pajisje të tjera elektronike
Pas intervistimit dhe përfundimit të procedurave ligjore, me vendim të prokurorit të rastit, katër të dyshuarit, të gjithë meshkuj dhe shtetas të Republikës së Kosovës, janë liruar në procedurë të rregullt.