Peci reagon pas intervistimit: Besimi juaj, epilogu i njohur për ju dhe fermerët
Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, ka reaguar përmes një postimi në Facebook pas intervistimit nga Njësia e Veçantë Hetimore e Policisë së Kosovës lidhur me bastisjet e djeshme në institucionet e bujqësisë.
Në fjalët e tij, Peci iu drejtua qytetarëve dhe veçanërisht atyre që e votuan, duke shprehur bindjen se fundi i këtij procesi do të jetë i qartë për ta.
“Të dashur qytetarë, miq e familjarë; U jam mirënjohës për shprehjen e shqetësimit si dhe për solidaritetin e treguar gjatë ditës së djeshme, me rastin e intervistimit tim nga organet e rendit dhe drejtësisë,” shkroi Peci.
Ai theksoi lidhjen me votuesit dhe fermerët: “Me theks të vecantë, ju drejtohem 133,987 qytetarëve që më kanë dhuruar gjënë më të shenjtë; besimin! Jam i bindur që epilogu i këtij procesi do të jetë i njohur për ju sikurse është i njohur për rreth 30 mijë fermerë, që përfitojnë në baza vjetore subvencione dhe grante e që njëherit janë dëshmitarët më të vëmendshëm në cdo cep të Kosovës. Ata, më së miri e dinë se në funksion të kujt, e kam kryer detyrën zyrtare.”
Peci shtoi se çdo veprim i tij është transparent: “Çdo shkronjë, fjalë, si në të shkruar ashtu edhe e thënë, është e qasshme për secilin që ka interesim.”
Në fund të postimit, ai shkroi: “Kosova, si vend i bekuar ka një popull të mrekullueshëm, e mbi qiellin e kësaj toke e këtij populli, ka Zot!”
Intervistimi i ministrit dhe bastisjet në Ministrinë e Bujqësisë, Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë dhe Agjencinë e Veterinarisë lidhen me dyshimet për dhënien e një fabrike për mbetjet shtazore. Peci dyshohet se pa ankand publik, ia ka dhënë me qira për 20 vjet kompanisë “LIP KS & IT SH.P.K” impiantin publik.
Prokurori Admir Shala ka konfirmuar se hetimi lidhet me mënyrën e dhënies me qira të kësaj fabrike. Interesant është fakti se kompania përfituese u regjistrua vetëm 5 ditë pas publikimit të thirrjes së dytë për kontratë, dhe pronari i saj ka lidhje me kompani të tjera, ku disa adresa çojnë deri në Beograd.