ZRrE mban mbledhje, merr dy vendime të rëndësishme drejtë hapjes së tregut
Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) ka mbajtur sot një mbledhje të jashtëzakonshme ku ka marrë dy vendime të rëndësishme që lidhen me procesin e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike në Kosovë.
Në këtë mbledhje, Bordi i ZRrE-së ka vendosur t’i lëshojë licencën për furnizim me energji elektrike kompanisë VOLTKOS Sh.p.k. Ky vendim shihet si një hap pozitiv që do të kontribuojë në zgjerimin e ofertës dhe rritjen e konkurrencës në tregun e furnizimit me energji elektrike në vend.
“Në kuadër të procesit të liberalizimit të tregut të energjisë elektrike në Kosovë, Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka mbajtur sot një mbledhje të jashtëzakonshme. Në këtë mbledhje, Bordi i ZRRE-së ka vendosur të lëshojë licencën për furnizim me energji elektrike për ndërmarrjen VOLTKOS S Sh.p.k., një hap ky që kontribuon drejtpërdrejt në zgjerimin e ofertës dhe rritjen e konkurrencës në tregun e furnizimit me energji elektrike në Kosovë,” thuhet në njoftimin e ZRrE-së.
Përveç kësaj, ZRrE ka marrë një vendim tjetër të rëndësishëm. “Gjithashtu, sipas parimit të reciprocitetit, Bordi ka njohur licencën e ndërmarrjes AI EnergyX – Dega në Kosovë, duke i mundësuar kësaj kompanie që të veprojë në tregun vendor në përputhje me legjislacionin në fuqi.”
Këto dy vendime të ZRrE-së tregojnë përkushtimin e rregullatorit për të çuar përpara procesin e liberalizimit të tregut të energjisë në Kosovë, duke hapur rrugën për më shumë operatorë dhe duke nxitur konkurrencën.