Inspektorati Shëndetësor kap tre mjekë turq duke punuar pa licencë në “Spitalin Amerikan 2” në Graçanicë

27.05.2025

Një inspektim i paparalajmëruar i kryer sot në orët e paradites nga Inspektorati Shëndetësor i Ministrisë së Shëndetësisë në “Spitalin Amerikan 2”, i cili ndodhet në zonën e Graçanicës, ka rezultuar me kapjen në flagrancë të tre mjekëve me shtetësi turke duke punuar pa licencë të lëshuar nga institucionet përkatëse të Kosovës.

Sipas burimeve të KosovaNews, inspektorët shëndetësorë kanë konstatuar shkeljen gjatë kontrollit të befasishëm në spital.

KosovaNews ka kontaktuar Ministrinë e Shëndetësisë për të marrë detaje zyrtare lidhur me këtë rast, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka marrë një përgjigje zyrtare.

“Spitali Amerikan” është në pronësi të Klodian Allajbeut, i cili është gjithashtu pronar i Gazetës Express dhe televizionit T7.

Kujtojmë se në dhjetor të vitit të kaluar, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj Klodian Allajbeut dhe pronarit të televizionit Dukagjini, Ekrem Lluka, për veprën penale të shpëlarjes së parave.

Mbetet të shihet se cilat do të jenë veprimet e mëtutjeshme të Ministrisë së Shëndetësisë dhe organeve të tjera kompetente lidhur me këtë rast të punësimit të mjekëve pa licencë në një institucion shëndetësor privat.