Kapen katër persona të dyshuar për grabitjen e pompës së derivateve në Pejë

24.05.2025

Policia e Kosovës ka njoftuar sot për arrestimin e katër personave të dyshuar lidhur me grabitjen e një pompe derivatesh në Pejë.

Sipas njoftimit zyrtar, arrestimet erdhën si rezultat i një pune intensive hetimore nga ana e hetuesve rajonalë.

“Pas një pune intensive të hetuesve rajonal, janë identifikuar dhe arrestuar katër të dyshuar,” thuhet në komunikatën e policisë.

Gjatë operacionit, policia ka sekuestruar automjetin që dyshohet të jetë përdorur gjatë kryerjes së grabitjes, një pushkë gjysmë automatike, si dhe para në vlerë prej pesëqind e shtatëdhjetë (570) Euro dhe dëshmi të tjera që lidhen me rastin.

Pas intervistimit nga hetuesit, në prani të avokatëve mbrojtës, dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.

Sipas informacioneve nga policia, të arrestuarit dyshohen se, nën kërcënimin e armëve, kishin kanosur punonjësin e pompës së derivateve dhe kishin kërkuar paratë e xhiros. Viktima u ka dhënë paratë në vlerë prej rreth nëntëqind (900) Euro, pas së cilës të dyshuarit ishin larguar në drejtim të panjohur.

Ky arrestim vjen si rezultat i përpjekjeve të vazhdueshme të policisë për të luftuar kriminalitetin dhe për të siguruar qytetarët. Hetimet për këtë rast pritet të vazhdojnë.