SHSKUK shpëton jetën e 5-vjeçarit që kishte gëlltitur farë luledielli

21.05.2025

Një ekip mjekësor në Klinikën e Otorinolaringologjisë (ORL) të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK) ka arritur të shpëtojë jetën e një fëmije 5-vjeçar, i cili kishte aspiruar një farë të paqëruar luledielli, duke i bllokuar rrugët kryesore të frymëmarrjes.

Shërbimi Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) njoftoi se falë reagimit të shpejtë të ekipit kujdestar të ORL-së, të udhëhequr nga dr. Flamur Ukaj, dhe bashkëpunimit të menjëhershëm me ekipin kujdestar të Anesteziologjisë, nga dr. Valmir Idrizi, u realizua me sukses një ndërhyrje urgjente e tipit trakobronkoskopi rigjid. Gjatë kësaj ndërhyrjeje, u largua trupi i huaj dhe u sigurua rrugë e lirë e frymëmarrjes për fëmijën.

SHSKUK bëri të ditur se pas ndërhyrjes, gjendja e fëmijës është stabilizuar dhe ai është lëshuar në shtëpi pa ndonjë komplikacion shëndetësor.

“QKUK, apelon tek të gjithë prindërit që të kenë kujdes të shtuar ndaj fëmijëve të vegjël, duke shmangur kontaktin me trupa të huaj si fara, kikirikë, pjesë të vogla lodrash etj., pasi mund të paraqesin rrezik serioz për jetën e tyre,” theksohet në njoftim.

Në këtë operacion të suksesshëm morën pjesë edhe instrumentarja e sallës së ORL-së dhe specializantë nga ORL dhe Anesteziologjia.