Kosova shpallet “vend i sigurt” nga BE, azilkërkuesit mund të përballen me kthimin e shpejtë

16.04.2025

Kosova është përfshirë në listën e Bashkimit Evropian të shtatë vendeve që konsiderohen “të sigurta të origjinës”, një lëvizje kjo që synon të përshpejtojë kthimin e migrantëve dhe ta bëjë më të vështirë për qytetarët e saj të kërkojnë azil në vendet e bllokut evropian. Lajmi është raportuar nga agjencia e lajmeve AFP.

Komisioni Evropian ka propozuar që së bashku me Kosovën, në këtë listë të përfshihen edhe Bangladeshi, Kolumbia, Egjipti, India, Maroku dhe Tunizia. Ky propozim vjen si përgjigje ndaj sfidës së numrit të madh të aplikimeve të paprocesuara për azil me të cilin po përballen shumë shtete anëtare të BE-së.

“Shumë shtete anëtare po përballen me një numër të madh aplikimesh të papërpunuara për azil, ndaj gjithçka që mund të bëjmë tani për të mbështetur marrjen më të shpejtë të vendimeve për azil është thelbësore,” ka deklaruar Magnus Brunner, komisioneri i BE-së për migracionin, gjatë prezantimit të listës së shteteve të propozuara.

Tani, propozimi i Komisionit Evropian duhet të marrë miratimin e Parlamentit Evropian dhe Këshillit të BE-së. Nëse ky propozim miratohet, azilkërkuesit që mbërrijnë në BE nga këto shtatë vende mund të përballen me refuzimin e kërkesave të tyre për azil dhe potencialisht me urdhëra kthimi në vendet e tyre të origjinës, në bazë të rregullave të reja të BE-së.

Vendimi për ta përfshirë Kosovën në këtë listë vjen pas një rritjeje të numrit të azilkërkuesve nga Kosova në vendet e BE-së pas liberalizimit të vizave më 1 janar 2024. Ky fluks i ri azilkërkuesish kujton situatën e viteve 2015/2016, kur dhjetëra mijëra qytetarë kosovarë emigruan drejt BE-së përmes rrugëve ilegale nëpër Hungari.

Shpallja e Kosovës si “vend i sigurt i origjinës” nga BE-ja mund të ketë implikime të rëndësishme për qytetarët kosovarë që kërkojnë azil në vendet e Bashkimit Evropian, duke e bërë procesin e azilit dukshëm më të vështirë dhe duke rritur rrezikun e kthimit të tyre.