Vrasja e rreshterit në Kaçanik, prokuroria: Dy persona të dyshuar

02.04.2025

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Burim Çerkini, ka mbajtur sot një konferencë për media lidhur me vrasjen e rreshterit Muhamet Lika, ngjarje e ndodhur mbrëmë në Kaçanik.

Çerkini ka informuar publikun se i ndjeri, duke u kthyer nga puna, është sulmuar në shkallët e ndërtesës ku banonte dhe ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra.

Sipas provave materiale të mbledhura nga hetimet, prokuroria dyshon se akti është kryer nga dy persona, të cilët janë larguar menjëherë pas ngjarjes. “Gjatë punës hetimore, dje dhe sot, Policia e Kosovës ka ndërmarrë shumë veprime hetimore, janë intervistuar shumë persona, dëshmitarë, persona që kanë rastisur në vendin e ngjarjes, të cilët mund të japin informacione të rëndësishme për organet e rendit. Gjithashtu, janë ndërmarrë të gjitha veprimet për sigurimin e provave materiale që do të na lehtësojnë punën,” ka deklaruar Çerkini.

Prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Ferizaj ka qenë i pranishëm në vendin e ngjarjes dhe të gjitha veprimet janë kryer në koordinim me të. Megjithatë, deri më tani, asnjë person nuk është arrestuar dhe as identiteti i të dyshuarve nuk është zbuluar. “Deri më tani nuk kemi persona të arrestuar për këtë çështje penale. Ka pasur intervista dhe marrje në pyetje të personave që kanë mundur të japin informacione të rëndësishme, por deri në këtë moment nuk dimë arsyen apo motivin që ka çuar deri në këtë rast makabër,” ka shtuar Çerkini.

Hetimet vazhdojnë dhe autoritetet po punojnë intensivisht për të zbuluar të vërtetën dhe për të sjellë para drejtësisë personat përgjegjës për këtë akt të rëndë.