Bllokimi i TikTok-ut në Shqipëri, rritje marramendëse e përdorimit të VPN-ve

15.03.2025

Qeveria shqiptare ka bllokuar qasjen në platformën TikTok për një periudhë njëvjeçare, duke filluar nga dita e djeshme. Vendimi vjen si pasojë e shqetësimeve të ngritura nga kryeministri Edi Rama, lidhur me përmbajtjet e papërshtatshme që shpërndahen nga përdoruesit në këtë platformë.

Sipas kryeministrit Rama, ky bllokim do të mbetet në fuqi derisa TikTok të përmirësojë algoritmin e tij të rekomandimeve dhe moderimin e përmbajtjes. Ndërkohë, TikTok ka deklaruar se ka ndërmarrë hapa për përmirësim, duke punësuar moderatorë shqipfolës për të kuptuar më mirë përmbajtjet e publikuara.

Megjithatë, bllokimi i TikTok-ut ka sjellë një fenomen tjetër: rritjen e jashtëzakonshme të përdorimit të VPN-ve (Virtual Private Networks). Sipas ProtonVPN, përdorimi i VPN-ve në Shqipëri është rritur me 1200 për qind dhe ky numër vazhdon të rritet, pasi qytetarët kërkojnë të anashkalojnë bllokimin dhe të kenë qasje në TikTok.

Ky vendim ka bërë që edhe ata që më parë nuk ishin të njohur me teknologjinë të mësojnë mënyra alternative për të anashkaluar bllokimin, duke përdorur për herë të parë një VPN. Gjithashtu, në rrjetet sociale po shfaqen gjithnjë e më shumë video që shpjegojnë se si të instalosh dhe përdorësh një VPN për t’u qasur në TikTok.

Çfarë është një VPN dhe si funksionon?

Një VPN, ose Rrjet Privat Virtual, është një mjet që ju lejon të hyni në internet në mënyrë të sigurt, kudo që ndodheni. Ai funksionon duke krijuar një “tunel” të sigurt midis pajisjes suaj dhe shërbimit VPN, duke mbrojtur identitetin dhe vendndodhjen tuaj, si dhe duke fshehur trafikun tuaj nga sytë e padëshiruar.

Në të kaluarën, VPN-të përdoreshin kryesisht nga korporatat për të siguruar qasje të sigurt në rrjetet e tyre të brendshme. Sot, ato përdoren nga kushdo që dëshiron të mbrojë privatësinë e tij në internet, veçanërisht kur lidhet me rrjete publike WiFi.