Maqedonci: Kosova po ndërton ushtri me standarde të NATO-s

15.03.2025

Transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në një ushtri me kapacitete të plota po ecën me ritme më të shpejta se sa ishte planifikuar fillimisht. Kështu ka deklaruar ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, duke theksuar përkushtimin e Kosovës për të ndërtuar një forcë ushtarake të aftë dhe të pajtueshme me standardet e NATO-s.

Sipas ministrit, numri i pjesëtarëve të FSK-së ka tejkaluar tashmë shifrën e 4,300, dhe pritet që brenda vitit të ardhshëm të arrijë mbi 5,000. Ky progres shënon një hap të rëndësishëm drejt objektivit final të transformimit, i cili parashikon që deri në vitin 2028, FSK-ja të ketë mbi 7,500 pjesëtarë, përfshirë 5,000 aktivë dhe pjesën tjetër rezervistë.

“Objektivat tona po realizohen më shpejt se sa ishte planifikuar fillimisht, gjë që tregon përkushtimin tonë ndaj zhvillimit të FSK-së,” ka deklaruar Maqedonci për Radio Evropa e Lirë. Ai ka theksuar se FSK-ja po ngrihet sipas standardeve të NATO-s, me pjesëtarë që trajnohen në akademitë ushtarake të aleancës dhe zbatojnë doktrinën e saj.

Një tjetër element kyç i transformimit është pajisja e FSK-së me armatim modern dhe të pajtueshëm me standardet e NATO-s. Ministri ka konfirmuar se të gjitha blerjet ushtarake realizohen nga vendet anëtare të NATO-s, duke siguruar pajisje cilësore dhe përputhshmëri të plotë me sistemet e aleancës. Ai ka përmendur, ndër të tjera, një flotë dronësh “Bayraktar” dhe sisteme të tjera të fluturakeve pa pilot, si dhe sisteme të ngjashme me “Javelin”-in amerikan.

Një nga blerjet më të rëndësishme është ai i 200 raketave kundërajrore “Javelin”, për të cilat Kosova ka bërë kërkesë vitin e kaluar. Maqedonci ka njoftuar se pagesa për këto raketa është duke u bërë dhe se pritet që një sasi e konsiderueshme të mbërrijë gjatë këtij viti.

Megjithëse Shtetet e Bashkuara e mbështesin fuqishëm transformimin e FSK-së, NATO-ja ka shprehur rezerva, duke insistuar që FSK-ja t’u përmbahet detyrave të saj fillestare. Megjithatë, Maqedonci shprehet optimist se shumica e vendeve anëtare të NATO-s e njohin FSK-në me mandatin e saj ushtarak dhe se po punohet për të arritur njohjen e plotë të ndryshimeve ligjore nga ana e aleancës.