Shqipëria dhe Kosova kryesojnë listën e kërkesave për azil në BE, sipas raportit të Agjencisë Evropiane të Azilit

06.03.2025

Sipas raportit vjetor të Agjencisë Evropiane të Azilit, të publikuar së fundmi, shtetasit nga Shqipëria dhe Kosova vazhdojnë të kryesojnë listën e kërkesave për azil nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

Gjatë vitit 2024, 7325 shtetas shqiptarë dhe 6791 shtetas kosovarë kanë paraqitur kërkesa për azil në vendet e Bashkimit Evropian.

Në krahasim me vendet e tjera të rajonit, numrat e aplikimeve nga Maqedonia e Veriut (3506), Serbia (3227), Bosnja dhe Hercegovina (1432) dhe Mali i Zi (337) janë dukshëm më të ulëta.

Rënie e lehtë e kërkesave nga Shqipëria

Megjithëse numri i kërkesave për azil nga shtetasit shqiptarë mbetet i lartë, vihet re një rënie krahasuar me vitin 2023, kur 9145 shqiptarë aplikuan për azil në BE. Franca vijon të jetë destinacioni më i preferuar për azilkërkuesit shqiptarë, e ndjekur nga Gjermania, Italia dhe Greqia.

Trendet e përgjithshme të azilit në BE

Në shkallë evropiane, vendet e BE-së kanë pranuar rreth një milion kërkesa për azil për të tretin vit radhazi. Sirianët mbeten grupi më i madh i azilkërkuesve, megjithëse numri i tyre ka rënë lehtësisht krahasuar me vitin 2023.

Raporti gjithashtu thekson se në fund të vitit 2024, rreth 4.4 milionë refugjatë ukrainas gëzonin mbrojtje të përkohshme në vendet e BE-së, me Gjermaninë dhe Poloninë që pritën gjysmën e tyre.