Messi drejt perëndimit të karrierës: “Nuk isha i lumtur në Paris”
Lionel Messi, një nga futbollistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, po i afrohet fundit të karrierës së tij të ndritur.
“La Pulga”, aktualisht pjesë e Inter Miamit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po shijon ditët e tij të fundit në fushën e blertë, duke luajtur së bashku me ish-bashkëlojtarët e tij të Barcelonës.
Argjentinasi ka folur hapur për periudhën e tij të vështirë në Paris Saint-Germain, duke pranuar se nuk ishte i lumtur gjatë dy viteve të tij atje. “Më duhej të largohesha nga Barcelona dhe kalova 2 vite në Paris që nuk më pëlqyen,” tha Messi. “Nuk isha i lumtur në baza ditore, me lojëra, stërvitje, ishte e vështirë për mua të përshtatesha.”
Pavarësisht vështirësive, Messi arriti të fitojë dy tituj të Ligue 1 dhe Superkupën Franceze gjatë kohës së tij në Paris, duke shënuar 32 gola dhe duke dhënë 35 asistime në 75 paraqitje.
Tani, në moshën 36-vjeçare, Messi po shijon një kapitull të ri në karrierën e tij në MLS, duke u ribashkuar me miqtë e tij të vjetër dhe duke tentuar të fitojë titullin pas dy përpjekjeve të pasuksesshme.