Kosova drejt njohjes së patentëshoferëve në Kanada dhe Turqi, Kurti: “Lehtësim i madh për bashkatdhetarët”

26.02.2025

Kosova është në prag të finalizimit të një marrëveshjeje të rëndësishme që do të mundësojë njohjen e patentëshoferëve kosovarë edhe në Kanada dhe Turqi. Lajmin e bëri të ditur kryeministri i vendit, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së rregullt të Qeverisë së Kosovës.

Kurti theksoi se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) dhe Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) kanë punuar vazhdimisht për të lehtësuar jetën e bashkatdhetarëve, duke përfshirë marrëveshjet për njohjen e patentëshoferëve në shtete të ndryshme si Gjermania, Italia dhe së fundmi edhe në Austri.

“Të pandashëm nga mërgata jonë kemi qenë dhe ne gjatë gjithë qeverisjes sonë. MPJD-ja dhe MPB-ja janë angazhuar vazhdimisht në shtimin, digjitalizimin e shërbimeve për bashkatdhetarët,” tha Kurti. “Një nga lehtësimet më të mëdha është dhe njohja e patentëshoferëve, siç është Gjermania. Muajin e kaluar ka hyrë në fuqi marrëveshja me Italinë dhe tashti fillon edhe me Austrinë. Pas këtyre në proces të finalizimit të njohjes së patentëshoferëve jemi edhe me Kanadanë dhe me Turqinë.”

Kjo marrëveshje e re pritet të ketë një ndikim të madh për komunitetin e madh të kosovarëve që jetojnë në Kanada dhe Turqi, duke u mundësuar atyre të përdorin patentëshoferët e tyre pa pasur nevojë për teste shtesë apo konvertime të kushtueshme.