Messi drejt rikthimit sensacional në Barcelonë!

25.02.2025

Lionel Messi, legjenda argjentinase, mund të rikthehet në Barcelonë! Lajmi tronditës vjen nga gazetari i njohur Álex Candal i “DIRECTV Sports”, i cili raporton se ylli botëror ka një dëshirë të zjarrtë për të veshur sërish fanellën “Blaugrana” në sezonin e ardhshëm.

Kjo lëvizje e mundshme do të shënonte fundin e eksperiencës së tij në Inter Miami të ligës MLS, ku kontrata i përfundon në dhjetor. Pas largimit të tij të hidhur nga Barcelona në vitin 2021 drejt Paris Saint-Germain, ky rikthim do të ishte një kthesë e papritur dhe emocionuese për të gjithë tifozët e futbollit.

Dëshira e Messit për të luajtur në stadiumin e rinovuar “Camp Nou” është një faktor kyç në këtë vendim. Sipas informacioneve, ai synon ta mbyllë karrierën e tij evropiane me një sezon të fundit në Barcelonë, përpara se të përqendrohet në përgatitjet për Kupën e Botës 2026.

Messi është një ikonë e Barcelonës, me 672 gola dhe 303 asistime në karrierën e tij me klubin katalanas. Largimi i tij i mërziti thellësisht tifozët, dhe një rikthim do të ishte një ribashkim i shumëpritur.

Bordi i Barcelonës po e konsideron seriozisht këtë opsion, duke e parë të realizueshëm nga ana ekonomike dhe teknike. Trajneri Hansi Flick do të kishte një armë të fuqishme në dispozicion, nëse Messi do të rikthehej.