Policia ndalon katër persona në Zubin Potok, dyshohen për kërcënim ndaj votuesve

08.02.2025

Një qytetar në veri të Kosovës është kërcënuar sot përmes një telefonate anonime, ku i është kërkuar të votojë për një parti të caktuar.

Sipas burimeve, në rast se ai nuk e bënte këtë, do t’i ndërpriteshin ndihmat sociale që i merr nga sistemi i Serbisë.

Informacionet e para tregojnë se telefonata dyshohet të ketë ardhur nga qendra për punë sociale në Zubin Potok. Menjëherë pas denoncimit të rastit, Policia e Kosovës ka ndërmarrë një aksion duke kryer bastisje në lokacionin prej ku mendohet se është realizuar thirrja kërcënuese.

Si rezultat i operacionit, katër persona janë shoqëruar në Polici si të dyshuar për veprën penale “Cenim i përcaktimit të lirë të votuesve”. Ata janë intervistuar nga autoritetet dhe për rastin është informuar edhe prokurori kompetent.

Policia e Kosovës ka konfirmuar ngjarjen dhe ka bërë të ditur se hetimet janë duke vazhduar për të sqaruar plotësisht rrethanat e rastit.