Lipjani Cep më Cep: Mbështetje Plebishitare për Kurtin dhe Lëvizjen VETËVENDOSJE!

02.02.2025

Në sheshin e qytetit të Lipjanit, mbështetja e qytetarëve për Lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe Albin Kurtin u shfaq e palëkundur, duke vërtetuar edhe një herë se fitorja e 500 mijë zemrave është e pashmangshme.

Deputeti dhe kryetari i Qendrës së Lëvizjes në Lipjan, Adnan Rrustemi, kujtoi punën e mirë të Qeverisë Kurti 2, duke theksuar progresin e madh ekonomik dhe shtrirjen e sovranitetit në çdo cep të vendit. Ai u shpreh i bindur në fitoren e LVV-së me Albin Kurtin kryeministër më 9 shkurt.

Kryeparlamentari i Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, tha se LVV-ja në qeverisje ka sjellë më shumë ushtarë për ushtrinë, më shumë policë për policinë, më shumë bursa për studentë, më shumë subvencione për bujqit, më shumë të ardhura për gratë dhe fëmijët, si dhe më shumë siguri për kufijtë dhe më shumë sovranitet për Kosovën. Ai theksoi se më 9 shkurt është dita vendimtare, kur i gjithë populli do të bashkohet në numrin 118, numrin fitues të popullit dhe Republikës së Kosovës.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se me mbështetjen e popullit, çdo sfidë është më e lehtë. Ajo kujtoi se kryeministri Kurti e ka dëshmuar që asnjë sfidë nuk e ka ndalur, falë mbështetjes së fuqishme të popullit. Ministrja Haxhiu u shpreh se në mandatin e Qeverisë Kurti 3, të gjitha reformat dhe projektet që janë penguar do të realizohen, sepse 500 mijë zemrat e 9 shkurtit do të jenë mesazh për të gjithë ata që i pengojnë këto reforma.

Kryeministri i tanishëm dhe i ardhshëm i Kosovës, Albin Kurti, numëroi të arriturat e qeverisjes së tij:

  • Rritje 50% e buxhetit të shtetit.
  • Rritje 50% e ekonomisë së vendit.
  • Produkt i brendshëm bruto mbi 10 miliardë euro.
  • Të hyrat tatimore mbi 3 miliardë euro.
  • Eksportet mbi 1 miliard euro.

Ai tha se këto të arritura do të vazhdojnë, dhe se do të nevojitet fuqi e shtuar punëtore, e cila do të merret përmes sistemit dual, rritjes së diasporës dhe projektit “Superpuna për Gratë”.

“E pagën minimale që e kemi gjetur 130 e 170 euro ne e bëmë 265, e bëmë 350, e në mandatin e ardhshëm do ta bëjmë 500 euro,” premtoi Kurti.

Ai gjithashtu premtoi rritje të numrit të çerdheve, mbështetje prej 100 eurove shtesë për pensionet e gjyshërve që kujdesen për fëmijët 1-3 vjeç, si dhe mbështetje financiare për nënat e reja, gratë lehona dhe shtesa për fëmijë.

Kryeministri Kurti tha se qeveritë e kaluara nuk kanë qenë qeveri për familje, nëna, fëmijë dhe gra, por vetëm për vete. Ai theksoi se vetëm ata që nuk i duan familjet e veta mund të mos votojnë për LVV-në.

Ai kujtoi se për 4 vite janë renovuar, adaptuar ose ndërtuar 65 çerdhe me 36 milionë euro, ndërsa qeveritë e kaluara për 17 vite vetëm 4 çerdhe me 1.2 milionë euro.

Kryeministri Kurti theksoi disa pika programore për mandatin e ardhshëm:

  • 1 miliard euro për ushtrinë e Kosovës.
  • 1 miliard euro për prodhimtari.
  • Investime në pajisje, trajnime dhe armatim për polici, si dhe avancim të njësisë së dronëve dhe anti-dronëve.
  • Heqje e taksës doganore prej 10% për vetura nga BE dhe kufizimit 10 vjeçar për veturat që importohen, duke e zëvendësuar me kriterin e emetimit të gazrave Euro5.
  • Program për transportin publik në të gjithë Kosovën, me biletë të integruar prej 10 eurosh.
  • “Mobiliteti për studentë” dhe bursa për studentë edhe në universitetet private.

Kryeministri Albin Kurti u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Lipjanit dhe të Kosovës që deri më 9 shkurt të bëhen bashkë për fitoren e madhe prej 500 mijë votave dhe të festojnë së bashku për vazhdimin e qeverisë së drejtë dhe të dobishme të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

https://www.facebook.com/vetevendosje/posts/1033274112172172