35 milionë euro për 22 kilometrat e para të rrugës Prizren-Tetovë, pritet finalizimi i projektit të tunelit
Ministri i Infrastrukturës i Kosovës, Liburn Aliu, dhe ministri i qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Aleksandër Nikoloski, kanë inspektuar së bashku punimet që po zhvillohen në rrugën Prizren-Tetovë.
Gjatë vizitës së tyre, ministrat u informuan mbi ecurinë e punimeve dhe sfidat e projektit.
Punimet po vazhdojnë në të gjithë trasenë e rrugës, ndërsa pritet finalizimi i projektit të tunelit për të filluar punën në segmentin e fundit të rrugës Prizren-Tetovë. Ministri Aliu theksoi se ky projekt i rëndësishëm do t’u shërbejë të gjithë qytetarëve të rajonit, duke lidhur Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
“Ky projekt e ka koston 35 milionë euro në 22 kilometra, të cilat do të krijojnë lidhje direkte të autostradës me tunelin, po ashtu përmes rrugëve ekzistuese, nga fshati Manastiricë, do të kemi lidhje edhe me rrugën që lidh Prevallën,” tha ministri Aliu. Ai shtoi se përveç qytetarëve lokalë, edhe qytetarët nga Shqipëria do të kenë mundësi të vizitojnë Parkun Nacional Sharr si nga Kosova, ashtu edhe nga Maqedonia e Veriut.
Ministri Nikoloski u shpreh optimist për vazhdimin e bashkëpunimit mes dy qeverive, duke theksuar marrëdhëniet e mira aktuale dhe duke shpresuar në vazhdimin e tyre edhe me qeverinë e ardhshme. “Jemi duke e dizajnuar projektin dhe dizajni do të na jep përgjigjen e saktë se sa do të jetë kostoja e projektit,” tha Nikoloski.
Sipas zëvendësministrit Hysen Durmishi, 5 kilometrat e fundit të rrugës do të presin projektin final të tunelit për t’u përfunduar. Rruga Prizren-Tetovë, e cila filloi në gusht të vitit 2024, po punohet në tri lote dhe pritet të ketë një ndikim të madh në zhvillimin ekonomik dhe turistik të rajonit.