Sot fillon gjykimi për vrasjen e Liridona Ademajt, familjarët presin drejtësi
Sot, në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Departamenti për Krime të Rënda, pritet të nisë gjykimi për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.
Lajmin për nisjen e procesit gjyqësor e bëri të ditur vëllai i të ndjerës, Leonard Ademaj, përmes një postimi në Facebook. Ai ndau detaje rreth gjykimit dhe theksoi besimin e familjes në drejtësi. “Ju njoftoj që gjykimi i rastit të vrasjes dinake të motrës tonë, Liridona Ademaj, fillon sot në ora 11:00 në Departamentin për Krime të Rënda në Gjykatën Themelore në Prishtinë,” shkroi Leonard Ademaj.
Familja Ademaj ka shprehur pritshmëri të larta për një proces gjyqësor të drejtë dhe transparent. “Ne si familje besojmë në drejtësi dhe shpresojmë që gjykimi do të jetë efikas, profesional, pa gabime, pa vonesa dhe transparent,” ka shtuar Leonard Ademaj në postimin e tij.
Vrasja fillimisht ishte raportuar si “grabitje me pasoja të vrasjes”, por hetimet e mëvonshme të Policisë së Kosovës zbuluan një skenar të ndërlikuar që përfshinte disa të akuzuar. Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, bashkëshorti i viktimës, Naim Murseli, dyshohet si ideatori i planit për vrasjen. Përveç tij, të akuzuar janë edhe Kushtrim Kokalla, Granit Plava dhe Tom Dodaj.
Në aktakuzë thuhet se Naim Murseli kishte planifikuar vrasjen si rezultat i konflikteve familjare dhe martesore, duke ofruar 30 mijë euro për ekzekutimin e gruas së tij. Fillimisht, ai i kishte shpalosur planin Kushtrim Kokallës, i cili e refuzoi kryerjen e vrasjes, por më pas kishte kontaktuar Granit Plavën për ta realizuar. Armën me të cilën u krye krimi e kishte siguruar nga Tom Dodaj për shumën prej 280 euro.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, njoftoi së fundmi se hetimet janë përmbyllur dhe aktakuza është ngritur. Prokuroria ka siguruar dëshmi që përfshijnë komunikime dhe marrëveshje mes të akuzuarve, si dhe armën e përdorur për vrasjen.
Sipas provave, Plava ka kryer aktin e vrasjes me armën e siguruar nga Dodaj, ndërsa gjithë plani ishte koordinuar nga Murseli.
Rasti ka ngjallur indinjatë të madhe në opinionin publik në Kosovë, duke hapur debate rreth dhunës në familje dhe sistemeve të mbrojtjes për viktimat. Familja e Liridona Ademajt ka kërkuar drejtësi dhe proces të paanshëm për të siguruar që përgjegjësit të marrin dënimin e merituar.