Policia mbyll një tjetër institucion paralel në veri të Kosovës
Kjo është konfirmuar nga zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, më 27 dhjetor. Sipas Elshanit, aksioni erdhi pas marrjes së një informacioni për ekzistencën e kësaj ndërmarrjeje në një ndërtesë banimi pranë Shkollës Teknike në Mitrovicën e Veriut. Pas verifikimit të informacionit, policia kontaktoi prokurorin e rastit, konfiskoi dokumentet që u gjetën […]
Kjo është konfirmuar nga zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, më 27 dhjetor.
Sipas Elshanit, aksioni erdhi pas marrjes së një informacioni për ekzistencën e kësaj ndërmarrjeje në një ndërtesë banimi pranë Shkollës Teknike në Mitrovicën e Veriut. Pas verifikimit të informacionit, policia kontaktoi prokurorin e rastit, konfiskoi dokumentet që u gjetën në ndërtesë dhe intervistoi disa persona të lidhur me këtë institucion.
“Rasti po trajtohet si falsifikim i dokumenteve dhe do të bashkëngjitet me një rast tjetër të ngjashëm që kemi pasur më herët me strukturën paralele në Mitrovicën e Veriut,” tha Elshani.
Një ditë para këtij aksioni, Policia e Kosovës mbylli dy institucione të tjera publike serbe që vepronin në mënyrë të kundërligjshme: Drejtorinë për Hapësirën Banesore dhe Biznesore si dhe Drejtorinë për Tokën Ndërtimore.
Sipas ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, këto institucione kanë mbledhur kundërligjshëm pagesa nga qytetarët dhe bizneset për shfrytëzimin e objekteve që pretendonin se ishin nën menaxhimin e tyre.
Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë e mbështetur nga Beogradi, ka dënuar këto veprime duke i cilësuar si “aksione të paligjshme dhe përshkallëzuese” nga Qeveria e Kosovës.
Në një deklaratë, kjo parti bëri të ditur se do të mbajë takime me punonjësit e institucioneve të mbyllura për të shqyrtuar mundësitë e mbështetjes dhe ndihmës që mund t’u ofrohet.
Ky aksion i fundit i Policisë së Kosovës është pjesë e përpjekjeve për të eliminuar strukturat paralele që veprojnë në mënyrë të kundërligjshme në veri të vendit.