Shqipëria mbyll TikTokun
Ministrja e Arsimit në Shqipëri Manastirliu ka bërë të ditur një sërë masash të reja për rritjen e sigurisë fizike dhe digjitale, duke përfshirë bllokimin e platformës TikTok.
Në një deklaratë pas hedhjes së vendimit për konsultim publik, ajo tha:
“Për rritjen e sigurisë fizike dhe figjitale në shkolla kemi vendosur: Bllokimin e platformës TikTok, bazuar në një paketë instrumentash që po punohet nga AKCESK dhe AKSHI.”
Masat e Reja për Sigurinë në Shkolla
Ministrja ka prezantuar një plan të gjerë që përfshin jo vetëm bllokimin e TikTok-ut, por edhe investime në teknologji dhe burime njerëzore. Ja disa nga masat kryesore:
Vendosja e Kamerave Inteligjente
Përmes projektit “Smart City” në bashkëpunim me Emiratet e Bashkuara, do të instalohen kamera inteligjente për monitorimin efektiv brenda shkollave dhe perimetrit të tyre.
Rritja e Numrit të Oficerëve të Sigurisë
Brenda dy viteve, numri i oficerëve të sigurisë do të dyfishohet, duke arritur në 500. Një strukturë e re do të ngrihet brenda Drejtorive Arsimore për të koordinuar punën e tyre me policinë e shtetit dhe njësitë e mbrojtjes së fëmijëve.
Monitorimi i Telefonave Gjatë Orëve Mësimore
Do të vendosen rregulla të reja për përdorimin e celularëve gjatë mësimit, duke përfshirë masa të përforcuara për monitorimin e tyre.
Parandalimi i Dhunës dhe Bullizmit
Përmes mekanizmave proaktivë të referimit dhe sinjalizimit të hershëm, do të trajtohen rastet e dhunës, bullizmit dhe bullizmit kibernetik. Incidentet do të raportohen përmes platformave online, duke krijuar një sistem të integruar monitorimi brenda dhe jashtë shkollave.