Kurti dhe Mesec diskutojnë për thellimin e bashkëpunimit Kosovë-Slloveni
Gjatë vizitës së tij zyrtare në Slloveni, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një takim bilateral me zëvendëskryeministrin e Sllovenisë, Luka Mesec.
Të dy zyrtarët diskutuan për një gamë të gjerë çështjesh që lidhen me marrëdhëniet bilaterale dhe bashkëpunimin e mëtejshëm në fusha të ndryshme.
Një pikë qendrore e diskutimeve ishte roli i diasporës kosovare në Slloveni në forcimin e lidhjeve midis dy vendeve. Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij për kontributin e mërgatës në zhvillimin e të dy vendeve dhe theksoi rëndësinë e ruajtjes së lidhjeve të forta me vendin e origjinës.
Gjatë takimit, u vlerësua lartë niveli i bashkëpunimit bilateral në fushën e sigurisë, ku trupat sllovene kontribuojnë në misionin e KFOR-it në Kosovë. Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Sllovenisë ndaj Kosovës, si në rrafshin evropian e ndërkombëtar, ashtu edhe në fushën e sigurisë.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm gjatë kësaj vizite ishte iniciativa për nënshkrimin e një marrëveshjeje për sigurime shoqërore me Slloveninë. Kjo marrëveshje do të lehtësojë procedurat për qytetarët e Kosovës që jetojnë në Slloveni dhe anasjelltas, duke u mundësuar atyre të realizojnë të drejtën për pension në vendin ku jetojnë.
Gjatë vizitës së tij në Kosovë, zëvendëskryeministri slloven Mesec u prit nga ministri i Financave, Punës dhe Trasfereve, Hekuran Murati, me të cilin diskutoi për detajet e marrëveshjes për sigurime shoqërore.
Vizita e Kryeministrit Kurti në Slloveni vjen në një kohë kur të dy vendet po punojnë për të thelluar bashkëpunimin në një sërë fushash, duke përfshirë ekonominë, kulturën dhe arsimin.