Kosova në terr

23.12.2021

Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS) gjatë ditës së djeshme ka njoftuar se reduktimet pritet të zgjasin rreth dy orë në ditë, kjo në orare të caktuara, dhe këto reduktime do t’i prekin të gjithë konsumatorët, përveç atyre emergjentë. Këto reduktime nga ana e KEDS-it u udhëzuan nga Operatori i Sistemit dhe Tregut […]

Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS) gjatë ditës së djeshme ka njoftuar se reduktimet pritet të zgjasin rreth dy orë në ditë, kjo në orare të caktuara, dhe këto reduktime do t’i prekin të gjithë konsumatorët, përveç atyre emergjentë.

Këto reduktime nga ana e KEDS-it u udhëzuan nga Operatori i Sistemit dhe Tregut – KOSTT, kjo për shkak të mbingarkesës në sistemin elektro-energjetik.

KEDS tha se është në pritje të instruksioneve nga KOSTT-i për kohëzgjatjen e reduktimeve.

“[Në mënyrë] që kriza të ketë ndikim sa më të vogël, KEDS apelon për kursim maksimal të energjisë elektrike dhe përdorim të formave alternative të ngrohjes, aty ku ka mundësi”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga KEDS.

Për situatën e krijuar, disa fajësojnë politikën e mbi 20 vjetëve të fundit – kohë prejse Kosova ka dalë nga lufta. Të tjerë thonë se ka pasur mungesë strategjish dhe projektesh.

Termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B” në Obiliq aktualisht prodhojnë rreth 500 megavat energji elektrike në orë, ndërsa kërkesat janë për mbi 1,100 megavat në orë.

Një nga arsyet për nënprodhim është vjetërsia me dekada e termocentraleve.

Për t’i plotësuar nevojat, Kosova është duke importuar rrymë, por me çmime më të larta, për shkak të krizës energjetike në botë.

Autoritetet paralajmërojnë se faturat e energjisë elektrike mund të shtrenjtohen për 7 për qind në muajt e ardhshëm.

Çeku: Problemet me rrymën, pasojë e mosndërtimit të “Kosovës së Re”

Në vitin 2005, Qeveria e atëhershme e Kosovës ka pasur një projekt për, siç është thënë, zgjidhjen e problemeve me rrymë. Projekti për ndërtimin e një termocentrali të ri, i quajtur fillimisht “Kosova C” e më pas “Kosova e Re”, nuk është realizuar.

Për Qeverinë e tashme, me në krye Albin Kurtin, ai “është i vdekur”, sepse nuk duhet investuar më në termocentrale me thëngjill.

Ethem Çeku, ministër i Energjisë i Kosovës në kohën kur është marrë vendimi për ndërtimin e termocentralit të ri, është i bindur se problemet në sektorin e energjisë janë pasojë e mosndërtimit të tij.

“Më duket që gabuam shumë rëndë kur nuk e zhvilluam projektin e termocentralit të ri. Këtu bëmë lëshime të mëdha, me kosto të mëdha financiare dhe zhvillimore”, thotë Çeku për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, ndryshimet e herëpashershme në projekt, të bëra nga qeveritë e njëpasnjëshme, i kanë larguar edhe investitorët.

Kosova ka më shumë se 10 miliardë tonë linjit dhe, si e tillë, është vendi i pestë në botë për nga sasia e këtij burimi.

Qeveria: Kursejeni energjinë elektrike

Qeveria e Kosovës është duke kërkuar vazhdimisht nga qytetarët që ta kursejnë rrymën, ndërsa ka bërë të ditur se do të ndajë shumën e nevojshme të mjeteve, për mbulimin e importeve.

“Do të bëjmë maksimumin që të ruajmë furnizimin e rregullt dhe të shmangim rritjen eventuale të çmimeve të energjisë elektrike”, ka thënë këtë javë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Dardan Abazi, nga INDEP, thotë se Qeveria duhet të hartojë një sërë masash, për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve, sepse ata nuk përballen vetëm me mundësinë e rritjes së çmimit të rrymës./REL/