Kontrabandim me migrantë, dështon rigjykimi ndaj dy të akuzuarve
Kryetarja e trupit gjykues, Valbona Musliu- Selimaj, ka bërë të ditur se në gjykatore nuk janë prezent i akuzuari R.K e as mbrojtësi i tij. “I akuzuari fillimisht ka pas për mbrojtës avokati Halil Balaj, të cilin gjykata e ka njoftuar me ftesë të rregullt, por në ndërkohë i akuzuari ka angazhuar mbrojtës me autorizim […]
Kryetarja e trupit gjykues, Valbona Musliu- Selimaj, ka bërë të ditur se në gjykatore nuk janë prezent i akuzuari R.K e as mbrojtësi i tij.
“I akuzuari fillimisht ka pas për mbrojtës avokati Halil Balaj, të cilin gjykata e ka njoftuar me ftesë të rregullt, por në ndërkohë i akuzuari ka angazhuar mbrojtës me autorizim Arbër Kolgeci dhe e ka shkarkuar Balajn, por avokati i ri që e ka autorizuar ka bërë kërkesë të shtyhet seanca për shkak se në këtë datë është jashtë vendit”, ka thënë gjykatësja Selimaj.
Në gjykatore prezent ishin i akuzuari B.K, prokurori special, Atdhe Dema dhe dëshmitari Sh.L.
Ndryshe, gjyqtarja bëri të ditur se B.K më parë ka pasur të caktuar avokat sipas detyrës zyrtare, e atë Emin Shkodrën, i cili ka ndërruar jetë.
“Për atë arsye nuk të kemi caktuar avokat për sot sepse nuk e kemi dit nëse ke autorizuar avokat. Për seancën e radhës a dëshiron me ta caktu gjykata një avokat”, ka pyetur Musliu-Selimaj të akuzuarin.
E i njëjti konfirmoi se dëshiron t’i caktohet një avokat sipas detyrës zyrtare nga gjykata.
Ajo gjithashtu ka bërë të ditur se tanimë pasi lënda është kthyer në rigjykim, tani dy të akuzuarit ngarkohen vetëm për kontrabandim me migrantë.
Seanca e ardhshme në këtë rast pritet të mbahet me 12 janar të vitit 2022.
Ndryshe, me 5 shkurt 2020, Gjykata Themelore në Prishtinë i ka shpallur fajtorë katër të akuzuarit për krim të organizuar, kontrabandim me migrantë dhe falsifikim të dokumenteve, S.K, A.K, B.K, R.K, duke i dënuar me burgim dhe me gjobë.
Ndërsa, kjo gjykatë ka liruar nga akuza për kontrabandim me migrantë, H.G dhe F.F, me arsyetimin se nuk ishte provuar se ata kishin kryer veprat penale që u viheshin në barrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Shadije Gërguri, i akuzuari S.K, për kontrabandim me migrantë është dënuar me katër vjet burgim, ndërsa për armëmbajtje pa leje është dënuar me gjobë në lartësi prej 1000 euro.
A.K është dënuar me dy vjet e gjashtë muaj për kontrabandim me migrantë, ndërsa për falsifikim të dokumenteve, është dënuar me 2500 euro gjobë.
B.K dhe R.K, ishin dënuar, secili veç e veç, me nga dy vjet burgim, për veprën penale të kontrabandimit me migrantë.
Gjykatësja Gërguri, kishte njoftuar se në dënimin me burg të shqiptuar ndaj të akuzuarve do të llogaritet edhe koha që ata e kanë kaluar në paraburgim.
Të akuzuarit S.K., A.K., B.K. e R.K ishin obliguar që në emër të paushallit gjyqësor të paguajnë secili shumën prej 200 eurove.
Ndërsa, të akuzuarit H.G dhe F.F, ishin liruar nga pagesa e shpenzimeve procedurale, pasi gjykata ndaj tyre mori aktgjykim lirues.
Palët e pakënaqura kanë pasur të drejtë ankese brenda 15 ditësh nga pranimi i kopjes së aktgjykimit.
Po ashtu, gjykatësja kishte njoftuar se ndaj të akuzuarve S.K, A.K, B.K e R.K shqiptohet edhe dënimi plotësues, konfiskimi i sendeve të përshkruara në aktakuzë.
Në këtë çështje penale, kishte qenë i akuzuar edhe K.M, por ai në fazat e mëhershme të procedurës kishte pranuar fajësinë, ashtu që procedura ndaj tij ishte veçuar.
Më pas, Gjykata e Apelit me 29 shtator 2020, e ka ndryshuar aktgjykimin e shkallës së parë sa i përket cilësimit juridik të veprës penale nga pika 1 e pjesës dënuese duke gjetur se fjala është për veprën penale kontrabandimi me migrantë nga neni 138, paragrafi 1.2 dhe 6 të KPK.
Kurse, pjesa tjetër e aktgjykimit ka ngelur e paprekur dhe janë refuzuar si të pabazuara ankesat e prokurorisë dhe mbrojtësve.
Gjykata Supreme me 30 gusht 2021, ka refuzuar si të pabazuara kërkesat për mbrojtjen e ligjshmërisë të mbrojtësve të dënuarave S.K dhe A.K e të dënuarit S.K ndaj vendimit të shkallës së parë dhe dytë,
Ndërkaq ka aprovuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë së dënuarve B.K dhe R.K dhe aktgjykimet e dy shkallëve në pjesën sa i përket këtyre dy të dënuarve janë anuluar dhe lënda i është kthyer shkallës së parë në rivendosje.
Sipas aktakuzës së ngritur më 24 dhjetor 2013, pretendohet se të akuzuarit S.K, A.K, B.K, H.G, R.K, se nga muaji janar i 2012, e deri më 4 shtator 2013, duke vepruar në kuadër të grupit të organizuar dhe të strukturuar, me qëllim të përfitimeve pasurore financiare, kanë kontrabanduar shtetas të Republikës së Kosovës.
Bazuar në aktakuzë, dyshohet se i akuzuari S.K kishte gjetur emigrantë që kishin qenë të interesuar të shkojnë në mënyre ilegale në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian, e pasi ishin marrë vesh për çmimin, në mënyrë ilegale, përmes personave të ndryshëm në Serbi, i kishin dërguar përmes Serbisë dhe Hungarisë, në vende të ndryshe të Bashkimit Evropian.
Sipas aktakuzës, i akuzuari A.K, emigrantëve J.G, G.K, u kishte falsifikuar dokumentet, vërtetimet në gjuhën gjermane, certifikatat e gjendjeve familjare, dhe gjendjet që nuk janë nën hetime.
I akuzuari H.G, sipas aktakuzës, pretendohet se si anëtar i grupit kriminal, kishte pritur migrantët në lokalin “501” në Suharekë, sipas porosisë së të akuzuarit S.K dhe i ka vënë në kontakte me të, e pastaj kishte bërë transferin e parave, të cilat para i fitonte i akuzuari S.K.
Sipas aktakuzës, i akuzuari B.K, i ka gjetur personat dhe i kishte dërguar tek i akuzuari K., kurse M.B, e kishte dërguar te i akuzuari S.C, që t’ia rregullonte vizën, e që këtë vizë ia kishte rregulluar për shumën 3500 euro.
Më këto veprime, në bashkëkryerje akuzohen se kanë kryer veprën penale “krim i organizuar” dhe “kontrabandim me migrantë”.
Gjithmonë sipas aktakuzës, e akuzuara F.F, në bashkëpunim me B.K, me qëllim të përvetësimit të drejtpërdrejt të dobisë financiare, ka tentuar të kontrabandojë migrantë të ndryshëm, nga Kosova në vendet e ndryshe të Bashkimit Evropian.
Ajo dyshohet se S.K, i cili kishte paguar 1500 euro, për t’ia rregulluar vizën dhe për t’ia mundësuar hyrjen në Bashkimin Evropian, e që F.F nuk kishte mundur t’ia rregullonte vizën, e as t’ia kthente paratë e marra për rregullimin e vizës, përveç 150 euro ia kishte kthyer përmes të akuzuarit B.K.
Më këtë veprim, akuzohet se ka kryer veprën penale “kontrabandim me migrantë në tentativë”.
Sipas aktakuzës, S.K nga data e pacaktuar e deri më 4 shtator 2013, kishte mbajtur pa autorizim, në pronësi, kontroll dhe posedim një armë dhe një karikator për të njëjtën armë, në kundërshtim me ligjin. Për këto veprime, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
I akuzuari A.K, sipas aktakuzës, nga një datë e pacaktuar e deri më 4 shtator 2013, në Suharekë, në lokalin e tij privat, duke punuar si dizajner grafik, pa pasur autorizim kishte punuar dhe falsifikuar tabela të veturave të Kosovës, si dhe të shteteve të tjera, po ashtu kishte falsifikuar edhe llogari bankare, vërtetime për gjuhën gjermane, certifikata të gjendjeve familjare dhe vërtetime që nuk janë nën hetime.
Ndërsa, i akuzuari K.M dyshohet se në janar 2013, në shtëpinë e tij në Suharekë kishte falsifikuar pasaportën në emër të tij, e pastaj e kishte fshirë edhe vulën e refuzimit të Sllovenisë, me qëllim të përdorimit të kësaj pasaporte si origjinale.
Për këto veprime, K. dhe M., akuzohen se kanë kryer veprën penale “falsifikim i dokumenteve”. /BetimipërDrejtësi