IKSHPK rekomandon shtyrjen e procesit zgjedhor

11.09.2021

Përmes një letre drejtuar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) së fundmi ka dhënë vlerësimin në lidhje me ndikimin e procesit zgjedhor në gjendjen epidemiologjike në vendin tonë. Task Forca e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) në letrën dërguar presidentes Osmani kanë thënë se rekomandojnë shtyrjen e […]

IKSHPK rekomandon shtyrjen e procesit zgjedhor Foto: Ilustrim

Përmes një letre drejtuar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) së fundmi ka dhënë vlerësimin në lidhje me ndikimin e procesit zgjedhor në gjendjen epidemiologjike në vendin tonë.

Task Forca e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) në letrën dërguar presidentes Osmani kanë thënë se rekomandojnë shtyrjen e procesit zgjedhor.

“Task Team i IKSHPK është i mendimit se mbajtja e procesit zgjedhor, i cili ngërthen në vete tubime publike dhe grumbillim të qytetarëve, paraqet rrezik për përhapjen dhe rritjen e infeksionit me COVID-19 e si pasojë edhe rritje të rrezikut të rasteve me fatalitet.

Rekomandojnë shtyrjen e procesit zgjedhor, përkatësisht ndalimin e aktiviteteve publike, grumbullimet e qytetarëve dhe tubimet publike të të gjitha llojeve dhe natyrave pa përjashtim, deri në vlerësimin epidemiologjik të radhës”, thuhet në letrën e siguruar nga Telegrafi që IKSHPK-ja ia ka dërguar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit.

Letra e plotë:

E nderuar Zonja Presidente e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani,

Duke u përgjigjur në kërkesën tuaj, të datës 10.09.2021, Task Team profesional i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) i cili në vazhdimësi bën përcjelljen dhe analizën e situatës me COVID-19, në bazë të analizave të gjertanishme, bazuar në situatën aktuale dhe praktikat më të mira, jep opinionin profesional, si në vijim:

Në bazë të analizës së situatës aktuale epidemiologjike të rasteve me COVID-19, bazuar në raportet e rasteve të hospitalizuara dhe vdekjeve nga SHSKUK dhe spitalet rajonale, dhe projeksioneve për muajin shtator deri në fillim të tetorit, Task Team i IKSHPK është i mendimit se mbajtja e procesit zgjedhor, i cili ngërthen në vete tubime publike dhe grumbullim të qytetarëve, paraqet rrezik për përhapjen dhe rritjen e infeksionit me COVID-19 e si pasojë edhe rritje të rrezikut të rasteve me fatalitet.

Prandaj, me qënëse procesi zgjedhor mund të ketë ndikim të shtuar në përhapjen dhe rritjen e rasteve me COVID-19, rekomandojmë shtyerjen e procesit zgjedhor, përkatësisht ndalimin e aktiviteteve publike, grumbullimit të qytetarëve dhe tubimet publike të të gjitha llojeve dhe natyrave pa përjashtim, deri në vlerësimin epidemiologjik të radhës.

Me respekt,
Task Team i IKSHPK.