Superliga rikthehet me tri ndeshje sot

13.03.2024

Superliga e futbollit kosovar nuk ka pushim.

Superliga rikthehet me tri ndeshje sot Foto: Ilustrim

Në këtë mesjavë do të luhet xhiroja e 25-të e ligës elitare.

Sot do të luhen tri takime, e dy të tjera nesër.

Pa diskutim, dueli kryesor i mesjavës do të luhet në Malishevë.

Mrekullia e këtij sezoni do të jetë mikpritëse e kandidatit për titull të kampionit, Llapi.

Në pesë xhirot e fundit, të dy ekipet kanë formë përafërsisht të ngjashme.

Llapjanët shkojnë në Malishevë për ta kërkuar një tjetër fitore në synimin për ta rrëmbyer pozitën e parë në tabelë, pasi momentalisht vetëm një pikë e ndan me kreun e tabelës.

Në krahun tjetër, Malisheva e cila pësoi humbje në xhiron e kaluar pas katër fitoreve radhazi, do ta kërkojë këndelljen dhe ta vazhdojnë luftën për një nga pozitat që dërgojnë në Evropë.

Sot do të luajë edhe kampioni dhe lideri aktual, Ballkani, në udhëtim te Fushë Kosova, ku shihen si favorit, të paktën në letër.

Por, suharekasit duket të mundohen për ta parë fitoren, pasi xhirove të fundit e kemi parë një këndellje të Fushë Kosovës, e cila synon të mbetet në ligë.

Kampionët në fuqi të Superligës kanë hyrë në seri të mirë në dy javët e fundit dhe për këtë vazhdojnë të jenë në krye të tabelës.

Kundërshtari i tyre i ka marrë pesë pikë në tri ndeshjet e fundit, por vazhdon të jetë i parafundit në tabelë.

Dita e sotme do të mbyllet me ndeshjen Gjilani – Liria.

Formë tejet e dobët për të dy ekipet tash e disa xhiro.

Të kuqtë nga Gjilani nuk kanë lëvizur nga vendi i tetë tash e një kohë të gjatë, njëjtë siç kanë bërë prizrenasit në të fundit.

E nesër na pret një tjetër ndeshje interesante, ajo mes Prishtinës e Dukagjinit, dy skuadra që po luftojnë për dalje në Evropë, shkruan “Gazeta Express”.

Momentalisht, dallimi është vetëm tre pikë, më mirë qëndrojnë prishtinasit të pestit, e klinasit të gjashtit.

Që të dy ekipet e kanë vetëm nga një fitore në pesë sfidat e fundit kampionale.

Një tjetër skuadër që po lufton për titullin kampion, Drita, nesër i shkon Feronikelit ‘74, i cili e mori fitoren e parë me trajnerin Shefki Kuqi.

Të kaltrit nga Gjilani u rikthyen tek fitorja në xhiron e kaluar, por kanë mbetur pesë pikë larg liderit.

Kurse, Nikli e ka blinduar vendin e shtatë me 26 pikë.