Super përballje këtë vikend në “Play-off”-in e ProCredit Superligës
“Play-off”-i i ProCredit Superligës së Kosovës në basketboll po vazhdon me emocion dhe spektakël, duke mbajtur të mbërthyer adhuruesit e sportit në mbarë vendin.
Ndeshjet çerekfinale dhe gjysmëfinale kanë dhuruar duele dramatike, ndërsa atmosferën po e hijeshojnë palestrat e mbushura me tifozë të zjarrtë që po krijojnë një ambient të veçantë garues.
Aktualisht, seritë gjysmëfinale janë të barazuara 1:1 dhe këtë fundjavë do të zhvillohen ndeshjet vendimtare të radhës që mund të përcaktojnë drejtimin e finales së madhe.
Super derbi në “Minatori”: Trepça vs Sigal Prishtina
Njëra nga sfidat më të pritura zhvillohet në palestrën “Minatori” të Mitrovicës, ku Trepça pret Sigal Prishtinën në përballjen e tretë gjysmëfinale. Ndeshja e parë u fitua bindshëm nga ‘xehetarët’ me rezultat 80:65, ndërsa ‘bardhekaltrit’ e kryeqytetit reaguan në sfidën e dytë duke fituar 90:83 pas kohës shtesë.
Tani, me serinë e barazuar, të dyja skuadrat hyjnë në parket për të bërë një hap të madh drejt finales dhe për të marrë epërsinë e parë kritike në serinë e “play-off”-it.
Ndeshja zhvillohet të shtunën, më 27 prill, me fillim nga ora 19:00.
Duel i zjarrtë në Prizren: Bashkimi vs Peja
Sfida tjetër gjysmëfinale zhvillohet në Prizren, ku Bashkimi përballet me Pejën në një tjetër duel me shumë peshë. Prizrenasit fituan ndeshjen e parë me rezultat 81:61, ndërsa pejanët u rikthyen me një fitore 84:79 në ndeshjen e dytë, duke barazuar serinë dhe shtuar intensitetin e rivalitetit.
Takimi i tretë mes këtyre skuadrave zhvillohet të dielën, më 28 prill, po ashtu nga ora 19:00.
Rregullat e “play-off”-it
Skuadra që arrin tri fitore në serinë gjysmëfinale kualifikohet në finale, ndërsa për të fituar titullin kampion të edicionit 2024/25, nevojiten katër fitore në serinë finale.
Përballjet e fundjavës pritet të jenë tejet të tensionuara dhe emocionuese, ndërsa tifozët pritet të jenë në numër të madh për të përkrahur ekipet drejt suksesit.