Prishtina e mposht Ballkanin në minutat e fundit, Llapi fiton në Malishevë
Superliga e Kosovës ka dhuruar emocione të forta këtë javë, ku dy përballje të rëndësishme kanë prodhuar rezultate dramatike.
Foto: Ilustrim
Në kryendeshjen e javës, Prishtina ka arritur fitore minimale 1:0 ndaj Ballkanit, në një ndeshje të luftuar deri në sekondat e fundit. Hero i takimit doli Blend Baftiu, i cili shënoi në minutën e 90+7-të, duke goditur ndaj ish-skuadrës së tij dhe duke i dhënë kryeqytetasve tri pikë me peshë në garën për titull. Pjesa e parë përfundoi pa gola, ndonëse të dyja ekipet patën raste të mira për të kaluar në epërsi.
Ndërkohë, në ndeshjen tjetër të kësaj xhiroje, Llapi ka triumfuar si mysafir në Malishevë me rezultat 2:1. Skuadra e Tahir Batatinës përmbysi rezultatin pas golit të Feratit për Malishevën në minutën e 57-të. Podujevasit u rikthyen fuqishëm në lojë, duke shënuar fillimisht me Axel Gnapi në minutën e 61-të dhe më pas me Muhamet Hysenin në minutën e 84-të, që vulosi fitoren e tyre.
Pas këtyre rezultateve, Prishtina vazhdon të mbajë kreun e renditjes, ndërsa në fund të tabelës mbetet Ferizaj, që ende nuk po arrin të gjejë formën e duhur në këtë edicion të Superligës.